Categories
Sport

Fundjava futbollistike (03-04 prill)- Parashikimet

Në Premier Ligën angleze, këtë fundjavë do të kemi derbin e sezonit. Të shtunën në ora 13:45, Çelzi udhëton në Mançester ku do të ndeshet me skuadrën e Junajtedit. Junajted në këtë ndeshje do të luaj pa liderin e skuadrës, Uejn Runin e dëmtuar. Pos Runit, vendasit do të luajnë edhe pa Ouenin, Braunin, O’Shian, Andersonin, dhe Uellbekun. Edhe mysafirët kanë mungesa në mbrojtje. Mungojnë Koll, Karvalo, Bosingva, Ivanoviç, e Esien. Vlen të theksohet se Çelzi, nuk po arrin të fitoj në Olld Traford, që nga viti 2005, kur në krye të skuadrës ishte Hoze Murinjo. Më presion do të ketë mbi Çelzin se sa mbi Mançesterin në këtë ndeshje, për arsye se Çelzi ka një orar shumë të vështirë në udhetime. Kjo është ndeshja e parë në serinë e ndeshjeve të vështira pasi më pas ata do të jenë mysafirë të Totenhem, dhe në fund të Liverpulit. Pra, nëse Çelzi dëshiron të dëshmoj se është skuadra më e mirë në Premier Ligë, atëherë duhet të fitojë.

Arsenali do ta ketë shumë më lehtë. Ai përballet me Uolvs, në Emirejts. Arsenali ka shumë mungesa, e fundit është ajo e kapitenit, Fabregas i cili ka mbyllur sezonin pas lëndimit në ndeshjen e Ligës së Kampionve. Të tjerët që mungojnë janë, Van Persi, Xhuru, Gallas, Gibs, dhe Ramzi. Uolvs, mund të shpresoj të nxjerrë një pikë nga udhëtimi, që do ta largonte edhe më shumë nga zona e rrezikshme. Megjithatë edhe humbja nuk do të përkeqësonte gjërat, pasi Arsenal është skuadra e fundit në Top 10, që do të takohen me Uolvs këtë sezon.

Për pozitën e katërt vazhdon të jetë nxehtë. Këtë javë Totenhem takohet me Sanderlendi, si mysafire. Është një ndeshje që duhet ta fitoj, pasi më pas takohet me tri skuadrat e para në Premier Ligë. Më thjesht, Totenhem mund të jetë skuadra që do të përcaktojë edhe kampionin këtë vit. Mançester Siti, formën e tij të mirë pret ta vazhdojë edhe në udhëtim ndaj Burnlit, një skuadër që kohëve të fundit po kalon në një formë tepër të dobët, formë qe e ka vendosur në pozitën e parafundit, me shumë mundësi të largohet nga liga. Liverpul, është mysafire e Birmingemit. Tani e kompletuar, skuadra e Benitez, nuk mund të lëshoj pikë lehtë. Mirëpo, Birmingem ka barazuar në dy ndeshjet e fundit si vendas, ndaj Evertonit, dhe Arsenalit. Ndoshta një barazim do të ishte rezultat i pritur.

Shalke ka mundësinë më të mirë të sezonit që të afrohet tek titulli. Ata presin skuadrën e Bajernit, e cila në mesjavë nuk tregoi një ndeshje shumë dominante edhe pse arriti ta mposht Mançesterin në fund. Në anën tjetër, Shalke ka pasur disa rezultatet shumë të mira në kampionat. Ata kanë mposhtur Shtutgartin, pastaj kanë barazuar me Hamburgun, dhe kanë fituar si mysafir të Leverkuzenit. Kjo i jep kurajo skuadrën së Shalkes, që të mposht Bajernin, si vendase pas 5 viteve.

Konkurrenti tjetër për titull, Leverkuzen udhëton në Frankfurt, ku ndeshet me Ajntrahtin, që është në formë pas dy fitoreve radhazi, ndaj Bajernit dhe Bohumit. Një ndeshje interesante pritet të jetë ajo në mes të Dortmundit dhe Bremenit. Të dy skuadrat shpresojnë në gabimet e Leverkuzenit, që të arrijnë në pozitën e tretë që shpie në Ligën e Kampionve. Hamburgu pret Hanoverin, ndërsa Shtutgarti, pret Mënshengladbahun. Kampioni aktual, Uolfsburgu, do të ndeshet me Hofenhajmin të dielën.

Në Itali, të gjitha ndeshjet do të zhvillohen të shtunën, për shkak të festës së Pashkëve. Interi nuk pritet të ketë shumë punë ndaj Bolonjas. Edhe pse ndoshta do të ruaj disa nga lojtarët për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionve, Inter besoj se do të shënoj fitore. Roma në anën tjetër është mysafire e Barit. Bari u ka prishur punë shumë skuadrave kur ka luajtur si vendas, duke humbur vetëm dy herë nga Kaljari, dhe Milan. Roma nuk do ta ketë të lehtë të fitoj si mysafire, mirëpo fitorja ndaj Interit, javën e kaluar i ka motivuar për titull, dhe kjo mund të jetë një arsye pse Roma, duhet të fitoj patjetër në Bari. Milan është mysafir i Kaljarit. Rosonerët, në tri ndeshjet e fundit kanë fituar vetëm tri pikë, duke lëshuar mundësinë e artë nga dora, ndoshta për shkak të lëndimeve dhe suspendimeve të lojtarëve. Mysafirët do të vazhdojnë me probleme në mbrojtje, ndërsa kthehen Pirlo dhe Ronaldinjo.

Ndeshje interesante në fund të renditjes është ajo ndërmjet Atalantas dhe Sienas. Me fitore Atalanta mund të shtyente Sienën drejt fundit duke u ngjitur vet afër zonës së mbijetesës.

Botuar në Shqipmedia.