Që nga tentimi i Stanisit për të marrë Kingslanding nuk më kujtohet që kemi pas episod beteje në ‘Game of Thrones’. Beteja e murit, ndërmjet Rojtarëve të Natës dhe Egërsirave të veriut solli një betejë në stilin e ‘Zotit të unazave’ me shumë qenie monstruoze, një infiltrim i armiqve që na bën të dyshojmë për fituesin, një komandat frikacak, etj. Ka shumë paralele që mund të hedhim ndërmjet LOTR dhe GoT, por nuk dua të hy në polemika me fansat e vetëm njërës nga këto, derisa ata që si unë i duan të dyja në mënyrat e veta, do të kuptojnë se çfarë dëshirojmë të themi, nëse i hedhin një freskim memories nga LOTR: The Return of the King.
Ishte një episod që në përgjithësi pothuajse u përqendrua tek Xhon Snou, me Sem si temë dytësore ndërlidhëse.
Pos që patëm një betejë të hatashme, përplot aksion, dyluftime, dhe murin e madh. Ishte episodi ku Xhon Snou doli në vijën e parë, dhe ngjashëm si vitin e kaluar mbetet karakteri kryesor në veri. Rojtarët e Natës ishin afër shpartallimit pas një dështimi strategjik dhe komandimeve të gabuara. Por, Snou shpëtoi ditën, për të vendosur të flijohet në fund. Se çfarë do të ndodh me të do të shohim në finalen, më të madhen që premtojnë producentët në këto katër sezonet.
Finalja e gjen Tormundin të zaptuar, derisa Igriten të vdekur. Shpresoj të mos jetë episod i përqendruar vetëm në veri, dhe i mbushur me betejë. Mjaftoi beteja e javës së kaluar, e edhe na teproi.
Na duhen disa përgjigje për Tirionin, Arjan, Sansan si dhe për Xhon Snoun. Ishte një sezon, ndoshta më i miri deri tashti. Dhe ka vetëm një kahje tash e tutje. Të bëhet edhe më interesant edhe më i mirë në sezonet në vijim.
‘Game of Thrones’ është ndër serialet më të mira të bëra ndonjëherë. Kjo s’do diskutim.