Categories
lomsh

Garë me dy kuaj – E hënë, mëngjes!

Tani e për 29 javë radhazi në Primera Division do të shohim një “garë me dy kuaj”. Kaq kishin jetën ëndrrat e skuadrave tjera për dy pozitat e para, 9 javë. Edhe Valensia edhe Vijareal barazuan këtë javë. Sevija që konsideroj një kundërshtarë i rrezikshëm për dyshen para disa viteve, u deklasua me një pesëshe fytyrës në Kamp Nou. Atletiko arriti të fitoj vetëm një pikë ndaj Almerias, ndërsa Espanjol u përkujdes për fitoren e parë të Deportivos. Shkurt dhe shqip, Realin dhe Barselonën mund ti ndal vetëm njëra tjetrën. Gjatë 29 javëve të ardhshme duhet të presim vetëm edhe dy ndeshje në futbollin spanjoll, El Klasikon. Kjo është ajo që e bën këtë kampionat të mërzitshëm. Sigurisht që do të ketë ndeshje kur do të humbin pikë edhe Reali edhe Barselona. Por, që dikush të vjen nga poshtë dhe ti tejkalojë të dyja, është pothuajse e pamundur.

Që kur ka filluar të fitojë Liverpul, Mançester Siti ka filluar të humb. Në rregull, nuk kanë kurrfarë lidhje për momentin, por nëse Liverpul vazhdon me këtë formë të mirë, atëherë këto dy skuadra mund të jenë kandidate për një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionve. Jam shumë i sigurt se Mançester Siti është skuadër shumë më e mirë se Liverpul, ashtu edhe kanë treguar me paraqitjet e tyre këtë sezonë, por është një periudhë kritike për Sitin. Mposhten nga Arsenal, dhe pastaj nga Uolvs. Çelzi fitoi jo lehtë ndaj Bllekbërn. Çeh ishte vital për mysafirët, pasi shumë herë i shpëtoi nga humbja. Goli i parë ishte mjeshtëri e Çelzit. Lehtë, thjeshtë, butë, gol. Padyshim që është njëra ndër skuadrat më të mira në botë.

Arsenal mëzi që arriti të çajë mbrojtjen e Birmingem. Robert Grin nuk është porjter i dobët. Ai është fantastik, por është disi jo shumë i sigurt. Gabimi i tij në Kupën e Botës nuk u përmend aq shumë pasi dështoi e tërë skuadra, dhe tashti ka mbetur nën hijen e Xho Hart. Sidoqoftë Arsenali ka shënuar tri fitore radhazi pas dy humbjeve. Skuadra e Njukastëll është bërë skuadra më labile në Premier Ligë. Një ndeshje fitojnë me pesë gola epërsi, tjetrën e humbi me pesë gola të pësuar. Kanë një formë të mirë me dy fitore radhazi, ashtu siç ka Mançester Junajted pasi u rehatua me Runin.

Në derbin e Bundesligës, Dortmundi mposhti Maincin jo vetëm me rezultat, por edhe me lojën e tyre shumë më të mirë. Kishte shumë befasi këtë javë në Bundesligë. Bajern ka filluar të rikthehet, Shalke humb përsëri, ndërsa Hofenhajm përforcohet në pozitën e tretë. Në krye kemi shkëputje të Dortmundit dhe Maincit, dhe Dortmund ndjehet më komfort pasi Mainc, akoma nuk konsiderohet si një skuadër serioze për titull. Leverkusen është 7 pikë prapa, ndërsa Bajern 10 pikë.

Në Itali Juventusi i tregoi Milanit, se kur ata luajnë në San Siro, pa marrë parasysh sa mungesa kanë, ata luajnë me shpirt kundër kuqezinjëve. Nuk kishte ndonjë lojë shumë të mirë të Juventusit, por ishte një Milan makabër i plakur, i harxhuar, i shterrur. Dhe atëherë kur pritej të ngjiteshin më afër kreut Milani i dëshpron fansat e tij. Interi fiton në Gjenova. Sampdoria arrin të mposht Çezenën me gjithë problemet e brendshme me Kasanon. Edhe Roma shënon fitore shumë të rëndësishme. Bresha humb nga Napoli, dhe tani ka 5 humbje radhazi, 4 humbje radhazi i ka Bari. Bari javën e fundit mund të filloj të këndellet. Takohen me Milanin! (për më shumë rreth Milanit lexojeni kolumnen Ditari i një milanisti!).

Në anën tjetër Lacio ka shënuar pesë fitore radhazi, ndërsa Udineze pas atij starti katastrofal është ka shënuar fitoren e katërt radhazi.

Kim Klajsters ka fituar turneun e fundit këtë vit në tenis. WTA turneu në Doha ka pëfshirë tetë tenistet më të mira gjatë vitit 2010 në botë. Edhe pse humbi në finale ndaj Klajsters, Karolinë Vozniaçki ruajti pozitën e parë në renditjen WTA.

Në kampionatin botëror në volejboll për femra favoritët nuk kanë të ndalur. Japonia, Serbia, Brazili, Italia, SHBA, Rusia, dhe Koreja Jugore janë skuadrat e vetme që kanë shënuar nga tri fitore radhazi. E hëna është ditë pushimi, ndrsa garat vazhdojnë të martën.

Horhe Lorenco triumfoi thellë në Moto GP për Shpërblimin e Madh të Portugalisë, duke lënë mbrapa kolegun e tij Valentino Rosi. Garat në motoçiklizëm mbarojnë javën e ardhshme, kur organizohet gara për Shpërblimin e Madh të Valensias. Lorenco ka siguruar titulli disa gara më parë dhe tani është vetëm formalitet. Edhe në Moto 2, gara për kampion ka përfunduar pasi Toni Elias është shpallur kampion para fundit, ndërsa në kategorinë deri 125 kubikë, Mark Markez ka 17 pikë epërsi ndaj Nikolas Terolit. Fitorja në motoçiklizëm sjell 25 pikë, pra akoma Terol ka shansa teorike për të fituar titullin. Një gjë është e sigurtë, të tre titujt do të ju takojnë spanjollëve.

Luan Morina

Kolumnist i rregullt për Shqipmedia