Interesimi për punën e Ajnshtajnit, popullariteti i tij, padyshim që ka qenë më i madh se për Pablo Pikason. Ndonëse edhe jeta e piktorit spanjoll ka qenë goxha e mbushur me ngjarje të ndryshme, sa nga jeta private ashtu edhe nga ajo politike, Pikaso dhe ky sezon i ‘Genius’ mbeten inferior ndaj të parit. Por, nuk janë aspak të kotë. Sidomos për dashamirët e artit.
Ngjashëm si në sezonin e parë, edhe këtu kemi zhvendosje nëpër periudha të ndryshme kohore, por të cilat zhvillohen me një drejtim adekuat nga episodi i parë deri tek i dhjeti, pa hezituar të kërcejnë edhe nëpër periudha të cilat mund t’i konsideronim të përfunduara në episodet e para.
Ndoshta është e metë e njerëzve më të mençur të kenë jetë të çuditshëm. Tekefundit ndryshimi i tyre duhet të varet edhe në jetën private! Dhe jeta e ‘ndryshme’ private e Pikasos mbizotëron atë profesionalen. Kjo lë pak më shumë punimet e Pikasos në plan të dytë ndoshta, por për mendimin tim kemi mjaft nga to. Në shumicën e rasteve na dalin motivet, arsyet t’i quaj, të cilat shpinë drejt realizimit të disave prej veprave kryesore të Pikasos.
Pos që aktrimi i Antonio Banderas është i shkëlqyeshëm, duhet të pranojmë që edhe pjesa tjetër e ansamblit, si ata që janë me Banderasit, si ata që janë me Pikason e ri, janë mirë të përzgjedhur. Aktrimi, fotografia, e mbi të gjitha historia e rrëfyer është mirë e ndërtuar. E mbi të gjitha shkëlqen episodi i fundit me një skenë përfundimtare fantastike!
Nuk do të preferoja të bëja krahasim në detaje me sezonin e parë të Ajnshtajnit, por, mund të them që personalisht nuk e kam të lehtë t’i ndajë, ndonëse do të anoja kah sezoni i parë! Nota personale për sezonin e dytë: 4/5