Bëhuni të sinqertë, si ndjeheni kur dikush i huaj do ju pyeste çfarë kombësie jeni? Çfarë do të thoni që të jepni një pasqyrë më të mirë për shqiptarët?

Me anë të kësaj përgjigjeje do të mësoja sa shumë patriot jeni.

Paragjykimi është ndër krimet më të mëdha shoqërore. Dhe në shumë vende as ne nuk shihemi nën një dritë pozitive.

Por, nuk jemi të vetmit.

Vendosja kundrejt një paragjykimi masiv, si në këtë rast të them – ne shqiptarët nuk jemi ndër popujt e mirë të Evropës – do të krijonte një reaksion që si zakonisht tek ne fundoset në sharje dhe ofendime.

Problemi është që ka dy lloje njerëzish që e bëjnë këtë:

  • Ata që mendojnë që marketingu i keq nuk ekziston dhe të jenë në qendër të vëmendjes ju mbush egon personale
  • Ata që mendojnë që zhvarrosja e anëve negative të një shoqërie shtynë direkt në diskutimin dhe punimin në përmirësimin dhe emancipimin e asaj shoqërie.

Dy vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në SHBA, shfaqet filmi ‘Gentleman’s Agreement’ nga regjisori i famshëm nga Kostandinopoja, Elia Kazan, një grek ortodoks i cili dy nga filmat më të rëndësishëm të karrierës së tij ndoshta i ka me temë anti-semitizmin dhe racizmin.

Një reporter, portretizuar nga Gregory Peck, pasi punësohet në një revistë në Nju Jork, ngarkohet me detyrën për të hulumtuar trajtimin e çifutëve në klasat e larta shoqërore të shtetit të Nju Jorkut. Në mesin e ideve, ai zgjedh të shtiret si një çifut. Gjatë kësaj periudhe të hulumtimit, pos që dëshmon një urrejtje dhe fanatizëm kundër çifutëve, ai arrin edhe një ‘emancipim’ personal në këtë çështje.

Filmi mund të mos jetë film i veçantë në aspektin teknik, dhe shumëkush mund edhe të dremis gjatë këtij filmi, dhe i kuptoj edhe këta të fundit.

Gregory Peck arrin të transformoj karakterin e tij gjatë shtjellimit të historisë, duke veshur ‘këpucët’ e një çifuti jo vetëm për vete, por edhe të birit, i cili karakter ka pak hapësirë, por goxha të rëndësishme. Është ai Gregory Peck i zakonshëm, me ato emocionet e fjalimet e vrullshme, derisa eksploron një botë që nuk i pëlqen se si e pranojnë atë me petkun e një çifuti!

Filmi ka edhe karaktere tjera dytësore që kanë momentet e tyre, sidomos një monolog i karakterit të Anë Detri, portretizuar nga Celeste Holm. Anne Revere, Dorothy McGuire, e John Garfield janë të denjë për rolet e tyre, duke e bërë këtë film goxha të rëndësishëm për kohën, e rrjedhimisht të shpërblyer me tri çmime Oskar.

Mund të mos fle me neve, por nëse do të kishin kombësi tjera karakteret, që do të përshtateshin me realitetin tonë, do të mund të mësonim shumëçka, por s’do ta bënim. Nota personale: 4/5