Categories
Filma

Geostorm (2017) – Recensim

Thonë se nuk është burrërore të dal loti. Dhe mbështetur në këtë parim dembabadem, provoj të ruaj nderin kombëtar, deri në maksimum. Por, ka raste kur burrëria më lëshon. Këto raste janë shumë të rralla. Një rast i tillë qe edhe fundi i këtij filmi.

Gjithnjë provoj ti kursej njerëzit nga spoilerat, por bazuar në numrin rekord të shikuesve të filmit në kinemanë më të mirë në Ballkan, Cineplexx-in tonë <3 në Prishtinë, mendoj që unë jam kosovari i fundit që ka mbetur pa e parë këtë film.

Dhe sa kam gabuar që nuk e kam parë me kohë!!! Edhe atë në kushtet fenomenale, me çmimet më të lira në krejt Ballkanin, pranë një audience me shije të mrekullueshme në film, në sallat e Cineplexx, pranë udhëkryqit në hyrjen jugore të Prishtinës.

Thashë që s’do të mund t’u përmbahem spoilerave, pasi që i gjithë filmi të mban në emocione për vetëm 80 minuta, duke ndërtuar një eksplodim apokaliptik, dalëngadalë, por thurur me mjeshtërinë që gjyshet tona thurnin jelekët që na mbanin ngrohët në dimrat e ftohtë.

Dimra, të cilët, të dashurit e mi, nëse nuk marrim me seriozitet ndotjen e planetit, do të na përsëriten. Dhe kush do të jetë aty të na bëj jelekë e xhamperë aq të ngrohtë. Ku është leshi i deleve? Ku janë postoçitë?

Shpresoj që të keni parë me ndonjë të dashur, familjar, çfarëdo-qoftë këtë film, që në momentet e fundit të filmit të keni pasur një dorë për të mbajtur. Dikë për të përqafur, pasi nëse asgjë ky film tregon se sa afër është vdekja.

Papritmas, në mes të shkretëtirës mund të ngrihen valët deri pesëdhjetë metra. Mund të na ngrijë bora. Dhe çka mbetet në kujtim? Momentet me më të dashurit tonë. Momentet që kemi shpenzuar duke parë kësisoj kryevepra, të cilat, E PËRSËRIS, me plot mëritë kanë numër aq të madh të shikuesve në vendin tonë.

Një grup konspiratorësh kanë vendosur të pastrojnë planetin nga të këqijtë, që në fakt nuk është ide e keqe. Paramendojeni një botë veç me kosovarë edhe amerikanë. Nejse, edhe meksikanët na kryejnë punë në fund të këtij filmi. Le të plas Trumpi. Hillary është zemër <3

Brenda organizatës një grup shkencëtarësh mëson për këtë komplot, dhe fillojnë punën ilegale, ashtu siç kanë bërë paraardhësit tanë në vitet e sundimit serbo-sllav, për shpëtimin e planetit. Në fund, presidenti e zbulon kush ia ka bërë qivirën, dhe e kapin atë. Duhet të pranojmë se këtu ka qenë një kasting shumë i mençur. Aktor më negativ se ai që ia ka bërë qivirën presidentit nuk ka në fytyrë të botës. Plus, ku të gjejmë aktor më të përshtatshëm për të aktruar rolin e shpëtimtarit pos Leonidasit të Spartave, Gerard Butlerr.

Dhe ky shpëton botën, por e bija e tij mbetet për ta pritur në Tokë. Dhe kur mendojmë që ka shpërthyer gjithçka, atëherë na shfaqet një kapsulë ku gjendet Butlerr edhe një aktore shumë e bukur! Duke hyrë në atmosferën e tokës, ata i shpëton një meksikan. Hillary <3 Trump shit!

Pastaj kur shohim lotët e bijës së tij kur zbret ai Butlerr në Tokë, e tani një djalosh gjen qenin e tij pasi shpëtojnë të gjithë. Qaj ata, qaj unë! Me gjasë duket të ketë pikur çatia, sepse nuk kam mundur të derdh aq shumë lotë.

Ah, sikur të isha në Cineplexx. Përkrah të gjithë atyre që nuk kanë kursyer asnjë cent për të shikuar këtë film, duke ngrënë kokoshka e kikirikë. Çfarë janë njëzet euro për të parë një super-kryevepër si kjo. Mëzi pres Geostorm 2, të cilin edhe nëse kushton 200 euro, unë do të jem pjesë e rekordeve jo-ballkanike, tashti edhe EuROPIANE. Nota personale: 50/5