Will Ferrell është ndër aktorët komik më të preferuar për mua. Nuk do të kisha rezerva edhe të thosha që është më i miri. Megjithatë të njëjtën gjë nuk do të mund të thosha edhe për filmin ‘Get Hard’.
Si shumica e fansave të filmave komedi, edhe unë kam pritur me një dozë më të madhe optimizmi duetin skenik të Will Ferrell dhe Kevin Hart. Këtë të fundit nuk e kam kushedi sa në qejf, por së fundmi me rolet në ‘Top Five’ e ‘The Wedding Ringer’ ka fituar njëfarë simpatie komedie tek unë. Derisa harmonia e tyre në film është e kënaqshme, vet filmi nuk është kushedi sa i mirë.
Will Ferrell vjen në rolin e James King, një milioner që akuzohet për mashtrim dhe vjedhje dhe dënohet me 10 vite burgosje. Pasi kishte zhvilluar tërë jetën e rritur në shoqërinë më të lartë aristokrate, James është i frikësuar për fatin që e pret kur duhet të zbret disa nivele më poshtë në shoqëri në kohën që nis vuajtjen e dënimit të tij. Si njeri paragjykues, ai angazhon larësin e veturave të kompanisë së tij Darnell-in (Kevin Hart) për ta përgatitur për jetën në burg, dhe atë vetëm për faktin që ky është njeri me ngjyrë.
Duke nisur nga vet ky fakt, filmi provon të thumboj shoqërinë aristokrate – menaxherët e fondeve në çdo mundësi që i shfaqet. Kjo vlen për pjesën e parë të filmit, para se karakteri i Ferrell të futet më thellë në jetën e karakterit të Hart. Kjo pjesë e filmit, thumbimi e të ngjashme më kanë pëlqyer. Është një skenar i mirë, filmi ecën mirë deri në momentin kur James pëson një aksident minor me thikën që i ngulitet në ballë. Kjo skenë është e gërditshme dhe për mua nga këtu ka nisur të bie kualiteti që edhe deri atëherë nuk ishte i ngjashëm me filmat më të mirë të Ferrell.
Trajneri – Craig T. Nelson, dhe Alison Brie kanë një rol më dytësor në pjesën e parë të filmit, derisa tema kryesisht zhvillohet vetëm me Ferrell dhe Hart. Ndoshta edhe kjo e bën filmin pak të kotë, mos angazhimi i më shumë karaktereve dytësore, edhe pse ato shfaqen me bollëk në të treten e fundit të filmit. Është ajo e treta e mesme që është tepër e përqendruar tek këta dy.
Tema nuk është zhvilluar në një kohëzgjatje adekuate. Ka momente kur gjërat ecin shumë shpejt, pastaj shumë ngadalë. Ka dialogë të mirë, dhe dialogë të tmerrshëm. Pastaj ajo skena që e përmenda më lartë.
Grupi i skenaristëve ka mundur të bëjnë punë më të mirë. Etan Cohen ka vetëm një ‘h’ më shumë se Coen-ët. Nuk bën as të përmendet në një fjali me ta. Por, duke pasur parasysh përvojën e tij të mëhershme mund të themi që nuk ndryshon kahje në zejen e tij. Për debutim në karrigen e regjisorit, nuk është punë e keqe.
‘Get Hard’ mbetet film mesatar, me disa të qeshura, por kryesisht i mërzitshëm. Nota personale: 3/5