Categories
Sport

Gianni Donnarumma – Milan vs Chievo

Cerci

Jo, nuk jam gati të pranoj që Cerci dhe Alex janë duke kryer punë të mirë. Përkundrazi. Cerci, më kujton Pirlon (Maradonën) e viteve të fundit. Niset në krah, dhe kthehet kah qendra për të gjetur pozitë për të gjuajtur. Kurrë nuk ia del. Edhe fëmijët i dinë sekretet e tij. Nejse stilin e tij, se një gjë që e dinë të gjithë nuk mund të jetë sekret.

Alexi nuk më kujton Pirlon. As Favallin. Favalli ka qenë më i shkathët. Alexi më kujton traktorët e vjetër të cilët mëzi marrin hovin dhe rrezikun më të madh e kanë në një teposhtëz ku nuk mund të ndalen kurrsesi.

E loja e Milanit nuk është loja e pastër, e kënaqshme për sy. Nuk është si një zinxhir biçiklete i lyer mirë i paprekur nga shiu. Është sikur ai të cilin e ka harruar pronari në shi tërë verën, dhe sa herë që provon të ndryshosh shpejtësinë nisin kërcitjet që të kujtojnë tranzicionin e Milanit.

Bomba

Kësaj loje jo bindëse i shtohet bomba. Dhe bomba në këtë rast është sikur një shtëpi kartash. Sa më lart ta ngritësh aq më shumë rrezikon të rrëzohet më furishëm.

Bomba e njohur si Gianni Donnarumma tani është duke ndërtuar katin e tretë. Dhe sa më lart hipën aq më fort bie. Kështu pritet të ndodh edhe me Giannin. Është sikur një bombë që do të plas një ditë – ndoshta të dielën. Si një bombë e vendosur në pendë që mund të marr një qytet të tërë po shpërtheu.

Më mirë të çmontohet me kohë. Më mirë të kthehet Diego Lopezi.

Sheva

Sheva e ka pasur për qejfi Lazion. U mundova të gjej, por nuk ia dola – listën e golave të shënuar kundër ekipeve. Por, ne fansat e kemi të pamundur të harrojmë afinitetin e Shevës kundër Lazios. Pas tij nuk kemi pasur ndonjë sulmues të tillë. Ndoshta Ibra do të mund të bëhej. Ndoshta!

Lazio ka pesë fitore në pesë ndeshje në Olimpico. Nuk kanë një sulm të mirë sa kanë repartet tjera. Por, si zakonisht, ndeshjet janë të tonat për ti humbur. Një pikë në Olimpico për mendimin tim do të ishte sukses. Fitorja nuk është në plan, por, pse ta përjashtojmë. Gianni Donnarumma – Milan vs Chievo