Herën e kaluar, më duket, pleqtë e Hollywoodit ishin në Las Vegas për tu shthurur. Kësaj radhe, me pensionet e pakënaqshme, treshja e Morgan Freeman, Michael Caine, e Alan Arkin vendosin të vjedhin një bankë.
Tashti, ti shohësh këta tre emra të vjedhin një bankë është ide ngazëlluese dhe rrit pritjet për një film bajagi të kënaqshëm. Për 96 minutat që zgjat, del të jetë goxha i kënaqshëm, edhe pse ka hapësira që kanë mundur të mbesin më pak boshe se që janë.
Ideja, tashmë e realizuar në një film të ngjashëm të vitit 1979, është adaptuar mirë nga Theodore Melfi. Provon të jap një arsyetim pse ndodh kjo vjedhje, duke nisur në momentin e duhur – kur të tre njoftohen se mbesin pa punë dhe që pensionet, si zakonisht në stilin kapitalist të adoptuar edhe tek ne, kanë humbur. Për tu hakmarrë, të tre vendosin për një vjedhje banke, me parapërgatitje në një dyqan lokal. Të dyja këto ngjarje janë të mbushura me skena komike. Por, mbi të gjitha shkëlqen dialogu që zhvillohet ndërmjet këtyre treve. Pra, është një tregim mirë i realizuar.
Për aktrimin nuk kam çka të shtoj pasi që të gjithë jemi të njohur me talentet tashmë të dëshmuara të Morgan Freeman, Michael Caine, e Alan Arkin. Harmonia e tyre skenike, që më së miri vërehet tek dialogët, është tejet e bukur. pos këtyre treve aty kemi edhe doktorin e ‘Back to the Future’, Christopher Lloyd, dhe aktoren e fjalëkryqeve Ann-Margret e cila ia di si të kaloj me pleq nëpër filma!
Regjia e realizuar nga ylli i ‘Scrubs’, Zach Braff është e mirë. Skenari i Melfit thashë që është mbresëlënës, dhe vetëm sa është më lart se tek ‘St. Vincent’, ku karakter kryesor ka pasur një burrë tekanjoz në moshë.
Është film i kënaqshëm, nuk vonon shumë, sjell një kast të dashur nga të gjithë besoj. Është argëtim i mirë. Nota personale: 4/5