Nëse do të provonim të adaptonim për këto ditë njërën nga thëniet e këtij filmi, atëherë më e mira që mund të bënim do të ishte ‘Zotin le të jetë dëshmitar, që unë s’do të ha bukë deri në iftar!’. E vitin e kaluar jam munduar të bëj recensimet e disave nga filmat më të mëdhenj në histori të kinematografisë. Ndonëse pak me vonesë, po e nisim me një film që pos nga më të mëdhenjtë është ndër më të gjatit në histori të filmit. Për katër orë pa dy minuta, pos që do të kalonin një kohë të konsiderueshme të këtyre ditëve të gjata, dhe falë Zotit ende jo aq të ‘pjekura’, do të mbeteni me një ndryshim jetësor të them. Okej, nuk iu jep përgjigje në pyetjet që keni për jetën, aq më larg të ju ndërroj pikëpamjen, por është një film botë e zhanër në vete, të cilat ndërthuren për të sjell në ekran njërin nga tregimet më të mira të filmit.

Filmi bazohet në romanin me të njëjtin emër të botuar tri vite para shfaqjes në kinema të filmit, i cili me inflacionin marr parasysh, është filmi që ka inkasuar më së shumti para ndonjëherë. Krejt buxheti nuk ka kushtuar as katër milion dollarë, derisa të hyrat kanë qenë mbi 390 milion dollarë, që i bie “treqindfish” më shumë!

Ngjarja është e vendosur në Amerikën e Luftës Civile, e ndarë në dy pjesë, e zhvilluar në tri lokacione kryesore. Scarlett O’Hara është një vajzë që banon në plantacionin pambukut, të së atit në një vend në shtetin e Gjeorgjisë së Amerikës. Në fillim ajo mëson që djali të cilin e dashuron fshehtazi në vete, Ashley do të martohet me kushërirën e saj, Melanien. Në fejesën e tij, Scarlett i tregon ndjenjat e saja Ashley, por ai vendos të mbetet me Melaninë. Dhe në këtë aheng vjen kumtesa për shpalljen e luftës duke nxituar burrat të rekrutohen. Në këtë tollovi, vëllai i Melanisë, Charles i propozon Scarlettës, dhe ajo pranon, ndonëse ka ndjenja për Ashley. Në luftë, Scarlett mbetet e vejë, familja e saj pëson humbje të mëdha materiale, lufta e bën të veten, por dashuria e Scarlettës për Ashley nuk tretet.

Gjatë krejt filmit, Scarlett vjen në rolin e personit të parë, duke na bërë të jemi bashkudhëtar me të në këtë zjarr lufte që sfidon zjarrin e zemrës së saj. Dhe, në krejt këtë mesele kemi Rhett Butler, i cili në një mënyrë është në të një pozitë sikur Scarlett për Ashley. Porse, karakteri i Rhett do të na sjell disa nga citatet më të mëdha në histori të kinematografisë, të cilat veç sa e bëjnë të pavdekshme famën e këtij filmi.

Një udhëtim jo vetëm dashurie, por një udhëtim i përgjithshëm i disa personave në një ferr lufte e paqeje, të cilat ndonëse mund të shterin e djegin gati gjithçka fizike, tek ndjenjat e karaktereve ngecin. Është ndër ata filmat që duhet parë patjetër një herë në jetë. Dhe kur janë katër orë në dispozicion më mirë se sa gjatë këtyre ditëve, apo verës që po vije.

Harmonia e Clark Gable e Vivien Leigh në skenë është mjeshtri e papërshkrueshme. Edhe kjo harmoni me aktrimin e të dyve, sikur shumëçka na lë pa koment. Të rëndësishme janë edhe pjesa tjetër e ansamblit, ndonëse vijnë më shumë në plan të dytë. Nota personale: 5/5