Categories
TV Reviews

Gotham – Recensim serie

Nëse ka diçka me Batman, qoftë edhe fustan apo makijazh, do më zgjojë kureshtjen, dhe me shumë gjasë do të gjejë diçka pozitive e të mirë në të. Prandaj, mos prisni objektivitet në këtë që po shkruajë më poshtë!

Kur ishte paralajmëruar si një seri që do të përqendrohej në jetën e Kapitenit Gordon, dhe në Gothamin pre-Batman, sa kishte qenë një ide intriguese, aq edhe dukej se do të ishte e zbrazët.

Ben McKenzie, të cilin më herët e kisha parë në disa episode të ‘Southland’ dukej si përzgjedhje e shkëlqyer, fakt të cilin e dëshmoi gjatë 100 episodeve të kësaj serie. Aktrimi i tij në rolin e kapitenit Gordon, nisur nga bashkëpunimi me Bullock, komunikimi me kriminelët e Gothamit, deri tek lidhja me Alfredin e Bruce, ishte e përkryer.

Sidomos pas sezonit të parë, barra për të bartur tërë serinë u hoq nga shpina e McKenzie kur kriminelët e Gothamit u shumuan.

Robin Lord Taylor në rolin e Pinguinit ka qenë ndër më të mirët që ka gjallëruar këtë karakter. Ndoshta shtylla kryesore.

Hiç më mbrapa nuk mbetej as Nigma, të cilin si shumicën e karaktereve e vërejmë të kalojë në anën e errët të Gothamit. Dhe ky fakt, që vërejmë zanafillën e shumicës së karaktereve, na jep një arsye më shumë për të parë këtë seri. Për mua ishte vetëm një arsye shtesë për të vazhduar, jo që do e leja në gjysmë.

Dhe pastaj Alfred dhe Bruce. Sean Pertwee e David Mazouz kanë një lidhje të përkryer për këto dy karaktere. Disi si të ndarë nga pjesa tjetër e Gothamit, kjo lidhje rritet e kalitet nëpër sfidat të cilat nuk i prekin këta dy medoemos.

Aktrimi është fenomenal, përfshirë edhe aktorët të cilët i kam parë për herë të parë në këtë seri, si dhe ata me të cilët jam njohur që më parë – Morena Baccarin e Michael Chiklis në mesin e tjerëve.

E di, ka pasur raste kur disa karaktere janë ‘rikthyer’ edhe kur nuk është pritur, por kjo është e zakonshme me botën e super-heronjve. Edhe kur ka ndodhur kjo, lidhja ka qenë e besueshme, reale, dhe këtë do e vlerësoja si një anë pozitive të skenarit që ka qëndruar solid përgjatë pesë sezoneve.

Sigurisht ka pasur oscilime, dhe jo që të 100 episodet do të ofrojnë cilësi të lartë. Por këto kanë qenë kryesisht të nxitura nga pakënaqësia e shikuesve ndaj ngjarjeve të caktuara nëpër seri.

Dhe përgjatë çdo episodi, na përcjellë fotografia e zymtë, tipike për Gothamin. Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e skenave zhvillohen në ambient të mbyllur, ato që janë ambient të hapur, disa prej tyre, sikur ajo e hedhjes së Pinguinit në det, janë thjesht fenomenale.

E nisur si seri për Gordonin, ‘Gotham’ është zgjeruar duke u bërë në një seri për kriminelët e Gothamit, dhe zanafillën e tyre, bashkë me atë të Batman. Më ka pëlqyer sidomos historia që ka shtjelluar në lidhjen ndërmjet Bruce e Selinës, si dëshmitare e vrasjes së prindërve të tij.

Por, përkrah Tabithas, Viktor Zsasz dhe pothuajse çdo fjali e tij përcjellë nga emocionet shashtrisëse të një qeli, kanë qenë ato që nuk do të duhej të më pëlqenin, por më kanë kënaqur, sidomos në pjesën e dytë të episodeve.

Ka shumë karaktere kalimtare të cilat kanë mbërthyer dhe kthyer në paraqitje të shkëlqyeshme ato pak çaste e episode që ka pasur, sa është e pamundur t’i numërojë të gjitha tashti. Sidomos pa spoilera të mëdhenj.

‘Gotham’ mbetet një parajsë për fansat e çmendur të botës së Batmanit. Për tjerët, një udhëtim i këndshëm. Nota personale: 5/5