Categories
Filma

Green Book (2018) – Recensim

Ndonëse të një race të njëjtë, diskriminimi në kombësi ka shpirë deri tek lufta e ‘90tave në vendin tonë. Më thjesht, ne shqiptarët jemi konsideruar si të padenjë për të drejtat themelore, nisur nga shkollimi dhe puna.

Rrjedhimisht, ne jemi të prirë të kuptojmë mirë një temë me diskriminim racor, qoftë libër, seri, apo edhe film.

“Nuk mjafton të jesh një gjeni, duhet kurajë të ndryshosh zemrat e njerëzve”

Vetëm kur sheh jetën e Doktor Don Shërlli nga afër, Toni Llip kupton si është jeta e një afrikano-amerikani në SHBA-të e viteve 1960ta. Që të dy këta vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore, dhe gjithashtu edhe raca të ndryshme. E këto ndryshime paraprake do të shkrihen gjatë udhëtimit që do të kenë nëpër SHBA, përfshirë jugun e prirë për racizëm.

Don është një pianist i cili ka nevojë për një shofer që do ta dërgojë nëpër shfaqjet muzikore që ka në turne. Toni është një italian aktualisht i papunë. Ai do të duhet të shoqërojë Donin në secilin koncert, të jetë i përpiktë në orare, për të shmangur penalltitë. Por, udhëtimi s’do të jetë vetëm një marrëdhënie shofer-pasagjer. Ai do të evoluojë deri në njërin nga fundet më të këndshme në filmat e viteve të fundit.

Mahershala Ali dhe Viggo Mortensen do të ndryshojnë jetët e njëri-tjetrit për të mirë, duke kaluar këtë relacion biznesor në një lidhje vëllazërore. Aktrimi i të dyve, sidomos në portretizimin e karaktereve të dy poleve të kundërta është i shkëlqyeshëm. Më shumë më ka bërë përshtypje aktrimi i Viggo Mortensenit si një italian njujorkez. Harmonia skenike e tyre nëpër momente të ndryshme është e shkëlqyeshme.

Karakteret tjera janë momentale, të cilat kanë një çast në film, dhe zhduken, përpos ndoshta Linda Cardellinit në një rol minor si gruaja e Tonit. Skenari është i këndshëm, marrë parasysh që realizohet nga disa persona që nuk kanë shumë zanat në këtë zeje. Befason Peter Farrelly i cili nga Dumb & Dumber e The Three Stooges, del në një film që i sjellë dy Oskare!

Por, prapë, Farrelly është i mësuar me udhëtime nëpër filma. E ky është një udhëtim i këndshëm, eksplorues jo vetëm për dy karakteret kryesore, por edhe për neve si shikues. Nota personale: 4/5