Categories
Sport

Hajgaret e arta! 

*(botuar më 11 janar 2013 për Shqipmedia)*

Askush më mirë se kosovarët nuk është i mësuar me ‘hajgaret’ e organizatës më të madhe të futbollit. FIFA shumë herë ka luajtur topa duke (mos)lejuar kosovarët të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Skandale të shumta janë heshtur sidomos tek racizmi dhe trukimet e ndeshjeve, duke u mbyllur pa ndonjë zhurmë të madhe. Në anën tjetër skandalet që kanë prekur konkurrentët e Blatterit janë ekzagjeruar nga marionetat e kësaj organizate – Bin Hamam dhe Warner.

Ngjashëm ndodh edhe me skandalin e fundit ku dhjetëra futbollistë, trajnerë, e gazetarë kanë deklaruar zyrtarisht që votat e tyre janë ‘ndryshuar’ nga FIFA në favor të Lionel Messit. Për shumë kë lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, ka arritur edhe një rekord duke u bërë i vetmi lojtar në histori të futbollit që merr katër Topa të artë. Ky është çmim që viteve të fundit France Football e jep në bashkëpunim me FIFA-n. Lirisht mund të them që nga fillimi i këtij bashkëpunimi, kredibiliteti i France Football ka rënë më shumë se kur shpërblente panda, tani të parin e UEFA-s, Michel Platinin – një ‘armik’ tjetër i shqiptarëve.

Nuk ka pasur dyshime për fitoren e Messit këtë vit. Arsyeja e vetme rekordin i golave të shënuar në vit kalendarik.

Në rregull. Që kur regjistrohen rekordet e një viti kalendarik në futboll? Nëse do të ishim në Finlandë, Islandë, e Ishujt Faro, atëherë mund të zgjidhnim lojtarët që kanë shënuar më së shumti gola brenda vitit. Gjithashtu sporte si tenisi, golfi, e sporte tjera kanë renditjet e tyre vjetore. Megjithatë trillimi i statistikave për të shpërblyer të ‘preferuarin’ e disa është turp për organizatën më të madhe të futbollit.

Nuk ka dyshim që Messi është prej më të mirëve në futboll, por le të jemi të sinqertë, viti 2012 nuk ka qenë viti më i mirë për të, e gjithashtu ka pasur lojtarë më të mirë e të trofeshëm se ai.

Në mesin e tre të fundit titullin duhej ti takonte Cristiano Ronaldos. Nuk ka pasur një mesfushë si të Barcelonës për të shpirë Realin drejt titullit. Ka dërguar Portugalinë me një trajner ‘mendjemadh’ deri në gjysmëfinale të Euro 2012. Ka shënuar çdo herë kundër rivalëve katalunas, diçka që bënte vetëm i madhi Ronaldinho kur duartrokitej midis Santiago Bernabeus, e jo të ‘godiste’ topin drejt shikuesve pa kurrfarë nevojë. Kjo e fundit le të lidhet me ‘karakterin’ e lojtarëve, pasi disa ‘ekspertë’ thonë se Ronaldo nuk ka karakter futbollisti. Nëse kërkojmë karakter të marrim Di Canion i cili ka bërë njërin nga gjestet më të mëdha të fair-play dhe disa vite më vonë ka përshëndetur tifozët si nazistë.

Anash futbollistit më të mirë, sipas FIFA-s futbolli po luajtka vetëm në Spanjë. Vetëm shikojeni 11shen e parë. Pos sulmit që meriton të jetë i paprekur, pjesa tjetër është hajgare! Mungonte vetëm Victor Valdes në portë për të bërë këtë 11she perfekte dhe me lënien e Casillas në rezervë nuk dyshoj që në fund të 2013tës do të kemi Valdesin si portjerin më të mirë në botës sipas standardeve të FIFA-s.

Për qershinë mbi tortë, përkujdeset IFFHS (organizatë statistikore e licencuar nga FIFA) që vendos ligën e Spanjës lart në pozitën e parë para Brazilit dhe Italisë! Anglia është e katërta para Gjermanisë, dy liga që lirisht mund të këmbenin pozitat 1 dhe 2 ndërmjet veti.

Ju mund të vazhdoni ti besoni FIFA-s dhe gjykimeve të ‘ekspertëve’ për të shpërlarë trurin tuaj. Unë besimin në ta e kam humbur qysh në vitin 2010, kur një futbollistë si Wesley Sneijder nuk ishte as në mesin e 3 më të mirëve e lëre më i miri.

Dëshmitar më të mirë se sytë tuaj dhe gjykues më të drejtë se mendja juaj nuk ka.