Categories
TV Reviews

Harley Quinn – Sezoni 1

Në një vazhdim të nismës feministe, Harley Quinn vendos të mos jetë më vetëm ‘e dashura e Joker’. Tash e tutje, ajo do të bëjë ekipin e vet të kriminelëve për të marrë primatin e të këqijve të Gothamit.

Kur jemi tek ‘Gotham’, nëse e keni parë serinë televizive të përqendruar rreth Detektivit Gordon dhe Bruce Wayne si fëmijë, e keni vërejtur një gjë që na e ka bërë paksa të mërzitshme serinë – rishfaqja e kriminelëve të njëjtë vazhdimisht.

Ndonëse kjo nuk mund të shmanget në një univers të kufizuar, tek seria e animuar ‘Harley Quinn’ kemi një shtresim të karaktereve. Fillimisht, Harley Quinn gjen shoqëri tek Poison Ivy, në atë që shumica mund ta cilësojnë si ‘ekip femëror’ dhe një hap tjetër drejt serive e filmave me sa më shumë heroina në rolet kryesore. Personalisht, nuk do të insistoja se është si i tillë. Së paku mua më është dukur si një konfrontim kriminelësh për të sunduar nëntokën e Gothamit.

Pas Poison Ivy, kemi Jokerin si një antagonist kryesor, me më pak hapësirë, dhe ndërmjet kemi emra jo aq të njohur që shfaqen për qëllimet e tyre episodike dhe serike. Disa mbesin, disa ikin, por nuk rikthehen për t’u bërë bajat. Sigurisht, është vetëm fillimi, dhe për këtë do të na duhet një sezon i pestë ndoshta.

Tregimi zhvillohet me hijeshi, me një finale të shkëlqyeshme të sezonit të parë. Ndërkohë kemi skena interesante, të cilat janë edhe të mbushura me ide komike të cilat zbusin situatën nga nuanca e tepërt e zymtësisë duke e bërë pak qesharake.

Shumica e karaktereve të Gothamit gjejnë hapësirë në sezonin e parë, derisa janë të zëruar nga emra goxha të popullarizuar, nisur nga Kaley Cuoco si Harley Quinn, Tony Hale si Dr. Psycho, JB Smoove si Frank the Plant, Diedrich Bader si Batman, Lake Bell si Poison Ivy, e Jason Alexander si Sy Borgman.

Pra, është një ansambël goxha mirë i ndërtuar i karaktereve. Edhe pjesa e animuar është në nivel. Sezoni i dytë, që nis sot, thonë se do të ketë nuancë më të zymtë, bash për stilin e Gothamit. E 13 episodet e të parit kanë qenë goxha të lezetshme. Nota personale: 4/5