“Ose mund të jesh i mençur, ose i lumtur. Dhe i mençur kam qenë për shumë kohë. Zgjedh të jem i lumtur” kujton fjalët e së ëmës, Elwood P. Dowd, shoku i Harvit, që është një lepur 1.89m i gjatë. Sigurisht, lepur imagjinar.
Tek ‘Harvey’ shohim jetën profesionale të James Stewart të cilin mund ta kujtojmë nga shumë role legjendare, sidomos tek ‘A Wonderful Life’ dhe ‘Rear Window’, të kulmojë me nominimin e radhës për ‘Oskar’. Në fund nuk doli fitues, por për dallim prej tri nominimeve paraprake dhe atë pasues në ‘Anatomy of Murder’ kemi një monolog fjalësh dhe mimike që James Stewart e bën me një lepur imagjinar të padukshëm për të gjithë neve dhe pjesën tjetër të karaktereve brenda filmit.
Elwood P. Dowd konsiderohet i çmendur nga familja, dhe çdo mëngjes kur largohet nga shtëpia me mikun e tij imagjinar, vetëm atëherë e motra dhe e mbesa e tij që bashkëjetojnë me të arrijnë të ftojnë shoqërinë e tyre në shtëpi. Dowd, i cili e merr jetën shumë seriozisht, sidomos në aspektin e shoqërimit, fton gjithsecilin që e sheh rrugës për darkë dhe shoqërim në shtëpinë e tij. Me të dëgjuar që e motra ka organizuar një aheng të tillë, ai vendos të kthehet dhe të takoj mysafiret, të cilat do të kenë ‘nderin’ të njihen edhe me mikun e tij imagjinar. Këtu është pika shpërthyese kur motra vendos ta dërgoj për trajtim në ‘çmendinë’.
Në këtë çast, mund të tingëllojë si një dramë serioze dhe pikëlluese, por në fakt është një dramë ngrohëse që anon kah komedia pa shumë të qeshura. Kjo rrjedhë nga monologët e shumtë që Dowd ka për karakteret e tjera të cilëve u shpjegon për Harvey, por më shumë për jetën, duke prekur edhe jetët e tyre, krejt papritur dhe në një masë goxha të madhe.
James Stewart dhe paraqitjen e tij fantastike e shoqërojnë edhe një ansambël aktorësh goxha mirë të përshtatshëm, e edhe të dashur për shikuesin (shumica). Në veçanti, motra e karakterit të Dowd, Josephile Hull, ka një paraqitje të shkëlqyeshme e cila është shpërblyer me Oskar.
Një tregim i ngrohtë, klasik, pa ngjyra, në botën bardhë e zi që na sjellë një perspektivë ndryshe për botën imagjinare. Nota personale: 5/5