Hesht. Nuk flet. Dëgjon.

Nuk flet shumë.

Të shikon. Thellë. Provon të sheh thellë në brendi. Të t’kuptoj. Të t’zbuloj me maskën që ke.

Në momentin që ndalon ritmin e të folurit. Ngrit sytë për ta shikuar. Në sy. Për të parë më thellë, picërron sytë. Mbrohet. Nuk të lejon të futesh brenda. Ndoshta fsheh diçka. Ndoshta fsheh zemrën të cilës nuk i beson. Nuk i beson se mund ta mbaj, ta privoj nga dashuria. Dashuria për të cilën ka lexuar shumë, të cilën e ka parë në filma, për të cilën ka dëgjuar shumë rreshta të kënduar. Ndoshta nuk beson në të. Ndoshta…

Ndoshta lëkundjen e kokës dhe picërrimën e syve, atëherë kur ndalesh dhe e shikon thellë në sy derisa flet, e ka vetëm pjesë të personalitetit, dhe jo mburojë. Por, çfarëdo që është, të bën të ndjesh një tkurrje dhe çlirim të njëkohshëm në zemër. E dini atë ndjenjën kur thith ajrin thellë dhe ndjen zemrën të tkurret për tu fryrë e pëlcitur nga dashuria kur lëshon frymën? Atë ndjenjë të bën të ndjesh.

Sytë që pushojnë mbi faqet e nën ballin që shkëlqen me çiltërsi engjëllore. Të gjitha këto bien në kontrast me të kuqin në buzët e saja. Të kuqin që i rri aq bukur, që pasqyron atë ngjyrën e kuqe të zemrave nga filmat e vizatuar. Nuk është e kuqe e tepruar, por as edhe e humbur. Është tamam e kuqe. E kuqe dashurie.

Nuk i prek flokët. Nuk e prek atë ngjyrë shkëlqyese që i prek supet në minimum. I prek po aq sa për të lëmuar atë këmishë ngjyrë qielli. Pranë çantës së punës, ku libri, lapsi, e fletorja zënë më shumë vend se makijazhi, qëndron një pallto ngjyrë gjethesh. Ashtu siç ka pantallonat, dhe këpucët. Ngjyra. Shumë ngjyra.

Thonë që e bardha reflekton çiltërsi, dhe engjëjt zbresin në këtë ngjyrë. E kanë gabim. Ky engjëll ka shumë ngjyra. Ngjyra që i përshtaten mrekullisht. Ngjyra që më bëjnë zemrën të ndaloj së rrahuri. E kuptoj.

Zemra ndalon. Hesht. E ndjen. Thellë.

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: