Categories
TV Reviews

High Fidelity – Sezoni 1

Qysh mundesh të ndalosh shiun të bie?

Qysh mundesh të ndalosh diellin të shndritë?

Edhe, më e rëndësishmja,

Qysh mundesh të shërosh zemrën e thyer të një njeriu?

Sigurisht, përgjigjet i gjejmë në muzikë. Dhe këto janë pjesë e tekstit të këngës së Bee Gees, të cilën këngë për herë të parë e kam dëgjuar në filmin Notting Hill, ku e interpreton Al Green, e i cili film është një ndër të bëmat më të mira të Richard Curtis – njërit ndër skenaristët e preferuar.

Kur jemi tek skenaristët e preferuar, ose më mirë thënë, artistët e preferuar – Nick Hornby.

Bazuar në librin e tij, i adaptuar fillimisht në film, e tani në seri nga Stephen Frears, vjen historia e Rob, e dhënë pas Top 5sheve, dhe pronare e një dyqani ‘muzikor’.

Karakteri i Rob portretizohet nga Zoe Kravitz, e cila lidhet aq mirë me këtë karakter sa që është e pamundur të mos e besojmë që ajo po e tregon njëmend historinë e saj, e cila ashiqare nuk është shumë e këndshme. Më thjesht, mund të them që nuk besoj që e kam pa Kravitz të jetë ‘më vetvetja’ në asnjë nga seritë apo filmat e saj të mëparshëm.

Rreth Rob janë një grup i vogël miqsh që sorollaten në dyqanin e saj, kanë shije të veçantë në muzikë, dhe një jetë pak a shumë të ngjashme sa i përket anës romantike. Secili nga ta është botë në vete, karakter në vete, që vetëm sa zgjerojnë për të mirë temën dhe serinë.

Dhe, ngjashëm me filmin, edhe Rob në mesin e 5sheve të saja ka edhe ndarjet, me hijet e disave nga to ende të pushojnë në jetën e saj, sado që ajo provon të bëj të kundërtën. Kjo është tema kryesore që zhvillohet gjatë dhjetë episodeve, të cilat janë të bollshme për të treguar një histori, por aspak të mjaftueshme për ta përfunduar këtë aventurë.

‘High Fidelity’ përshtatet me titullin duke provuar të sjellë një dashuri, një romancë, dhe kuptimin që ka kjo për Robyn Brooks, për të cilën dashuria besnike ndaj ‘origjinales’, artistikes, ngjashëm si ‘vinyl’ në muzikë është zëvendësuar me diçka abstrakte së fundmi.

Një seri për zemrat e thyera, të cilat të vetmin shërim e kanë muzikën. Dhe seritë si kjo. Nota personale: 5/5