Categories
TV Reviews

His Dark Materials – Sezoni 2 (me spoilera)

Sezoni i parë i His Dark Materials ka qenë fantastik.

Historia ka qenë e thjeshtë, e ndarë në dy paralele, pjesa teknike ka qenë e mrekullueshme, gjithçka ka pasur kuptim.

Sezoni i dytë nuk e vazhdon këtë.

E pritshme ka qenë të zgjerohet tema, të shpërndahen historitë, por edhe pak e lodhshme në këtë masë.

Në këtë sezon kishim historinë e nënës së Lyra, së babait të saj, babait të Will, të Lyras e Will, të Lee, të Boreal, të Magjisteriumit; dhe krejt këto shumë rrallë e ndoshta asnjëherë nuk ndesheshin. Paskam harruar edhe atë të shkencëtares, e cila shkel në botën e Will e Lyra.

Nëse përqendrohemi më ngushtë, në skena e ngjarje, kemi pasur gjëra të bukura për sy – kryesisht udhëtimet e Lee dhe të shtrigave. Kemi pasur momente emocionale që përfshinin Lyran dhe Will, sikur momentet kur humb ‘busullën’ Lyra, kur Will merr thikën, dhe sigurisht – kur zonja Coulter vret Borealin, e vdekja e Lee në fund.

Nuk ka qenë sezon i keq, assesi. Por, ka qenë një sezon shumë i shkapërderdhur që të çon mallin sikur po anashkalohet pa i dedikuar mjaft kohë temave të rëndësishme.

Aktrimi ka qenë fenomenal, edhe këtë sezon.

Dafne Keen e Amir Wilson kanë pasur një harmoni të mirë skenike, Ruth Wilson ka shkuar edhe një hap më afër çmendurisë, Will Keen në rolin e kardinalit ka kryer detyrën e tij të antagonistit, e më së shumti më ka pëlqyer zhvillimi i karakterit të Borealit.

Por, sigurisht që gjithçka mbetet në plan të dytë me Andrew Scott e Lin-Manuel Miranda. Që të dy kanë pasur atë peshën pozitive të barabartë me Lyra e Will, veçse në një anë të kundër të temës.

Edhe pjesa teknike ka qenë në nivel, por megjithatë, mbetem pak i zhgënjyer me skenarin. Ndoshta serisë i janë dashur edhe më shumë sezone, një zhvillim më i rregullt i historisë. Më intereson të shoh se çfarë do të ndodhë në relacionet prind-fëmijë në sezonin e ardhshëm, duke marrë parasysh se ku u mbyll ky sezon. Nota personale: 3/5