Nëse doni torturë 87 minutëshe mos e humbisni ‘Hot Pursuit’.
Nuk ka gjë që ka kuptim në këtë film. Tregimi është i bajatshëm – një police e nënçmuar dhe e veja e një krimineli narkotikësh ikin nëpër Teksas duke provuar të shmangin policë të korruptuar. Temë me skelet disa herë e përpunuar nëpër filmat e Hollywoodit, e tepruar, e shtjerrë.
Reese Witherspoon vjen në rolin e polices që njëherë ka keqkuptuar një qytetar, aksident që përmendet gjithnjë si nënçmim për karrierën e saj. Theksi i saj prej Teksasi e bën të pështirë filmin, torturues për veshët. Kur t’ia shtosh edhe theksin latin të Sofia Vergaras, bëhet over-dozë rrëqethëse për veshët tuaj. Aktrimi është katastrofal. Nuk kanë kurrfarë harmonie skenike, derisa në rolet ndihmëse vijnë aktorë amator, nën-mesatar të cilët vetëm sa pohojnë këtë mendim timin.
Skenari është nënçmim. Pos temës, linjat në dialog, zhvillimi i ngjarjeve, detajet janë tmerr. Nuk ka kurrfarë shije. Për të gjetur diçka për të qeshur në këtë film, duhet të groponi deri në Kinë. Dhe përsëri mund të mos gjeni asgjë. Me çdo sekondë të kaluar, rritej edhe iritimi im personal duke shtuar një dozë urrejtjeje edhe ndaj Witherspoon e cila gjithnjë ka qenë një aktore pak mbi mesataren për mua. Por, ja që gjithkush ka ditët e këqija, dhe Witherspoon nga nominimi për Oskar vitin e kaluar bie në këtë nivel vetëm një vit pas.
Nuk kam parë dyshe më të keqe skenike që nga ‘The Heat’ i Sandra Bullock dhe Melissa McCarthyt. Në krahasim me këto, Witherspoon-Vergara, ato të duken të mahnitshme.
‘Hot Pursuit’ është film i tmerrshëm, pa fije komedie, pa asnjë ide. Nota personale 1/5