Titulli?!

Nëse humb Inter sonte ose nëse nuk del fituese ne do të jemi skuadra që ka fituar më së shumti në kreun e renditjes. Megjithatë 11 fitoret e Allegrit janë larg. Ai ka thënë se na nevojiten edhe 11 fitore, ndërsa unë mendoj se 4 pikë nga çdo përballje me skuadrat janë pak. Me Leccen i kemi 4, me Cesenan 3, me Catanian 4, me Lazion 2. Pra, nga katër përballje 13 pikë është 3 pikë nën mesatare që do të ishte 19 përballje nga 4 pikë që i bie 76 pikë, që nuk do të mjaftonin në pesë kampionatet e fundit për t’u bërë kampion. Por, përparësi e jona do të jetë mossuksesi i skuadrave tjera, ashtu siç ndodhi këtë xhiro. Gjithnjë kam thënë që kampionati fitohet kundër skuadrave të vogla. Nuk më pengojnë dy humbje nga Juventus e Roma, nëse mposhtim 5 skuadrat e fundit në të dyja përballjet. Është Liga e Kampionve ajo që fitohet kundër skuadrave të forta. Inter ndoshta fiton sonte, ndoshta fiton edhe kundër Fiorentinës, por kjo s’duhet të na interesojë neve. Pikërisht ashtu siç ka thënë Ibra, titulli sot është i joni. Gjithçka varet nga ne dhe nga tashti, më saktë që nga koha kur kryesojmë renditjen ne jemi ata që vendosim për titullin. Ne e fitojmë, ne e humbim, Inter, Roma e as Chievo nuk mund ta fitojnë nëse ne nuk e humbim. A mund ta fitojmë titullin? Po. Nuk dyshoj që nuk jemi të aftë për të fituar titullin, tek e fundit cila skuadër tjetër ka sukses më të madh këtë sezonë. Badihava është Leonardo në krye të Interit. Mund të jetë vetëm një ngushëllim që kanë marrë ish-trajnerin tonë. Shyqyr Zotit ne nuk jemi një skuadër që merr ata që largon Interi. Është Manchester City e edhe Arisi i Selanikut (Hector Raul Cuper) që marrin ish-trajnerët e Interit. Napoli është në formë të mirë, e edhe Lazio mund të konkurojë për pozitën e katërt, që edhe këtë vit për herë të fundit u siguron italianëve biletë për Ligën e Kampionve. Juventus nuk është kërkah, e Roma me Ranierin zgjohet më vonë se arusha nga gjumi, dhe gjithmonë përfundon ose e dyta ose e pesta, ose huq titullin ose Ligën e Kampionve.

Ibracadabra!

Shumë milanistë kanë qenë skeptik me transferimin e këtij njeriu. Disa janë gëzuar për inati të interistëve. Unë për vete kam qenë në mëdyshje për këtë njeri. Megjithatë tashti, pas pesë muajve unë konsideroj Ibrën si shpëtimtarin tonë. Pa Ibrën nuk do të ndodhte asnjëra nga ato që kemi fituar deri tashti. Ka qenë i shkëlqyeshëm në secilën ndeshje. Ka luajtur 1856 minuta në 21 lojë të gjitha si startues, vetëm tri herë është larguar, dhe ka shënuar gjithsej 13 gola. Jam i bindur që ky do të jetë sezoni më efikas në karrierën e tij, dhe atë nën fanellën e Milanit. Është e vërtetë që nuk përshtatet mirë me Paton, por në ndeshjen e fundit kam parë që është munduar të bashkëpunoj disa herë me të, por nuk ka funksionuar kushedisa. Nuk është problem taktik aq sa është psikologjik përshtatja e këtyre dyve në lojë. Këta mund të funksionojnë për mrekulli, por Pato më duket gjithnjë si ngurrues dhe sikur nuk është në qendër të vëmendjes me Ibrën, gjë që duket se i pengon Patos. Nuk di se çfarë ndodh në stërvitje, s’kam kohë të shoh 24/7 Milan Channel, por Allegri duhet të përpiqet të aktivizoj më shumë këta dy së bashku. Nuk bëhet nami nëse tri ndeshje radhazi për 270 minuta këta të dy luajnë së bashku. Duhet të gjendet mënyra për t’u përshtatur. Përndryshe jam shumë i sigurt se me ndihmën e Raiolas, Galliani mund t’ia tregoj dyert Patos për Ballotellin. Sigurisht që unë jam kundër një transferimi të tillë, dhe Pato është i vetmi që mund të tejkalojë suksesin e legjendarit Shevchenko. Është i vetmi që lëvizë në fushë, qarkullon topin, por është egoist. Është i ri, dhe ndoshta mund të përmirësohet. Megjithatë të kthehem tek Ibra. Asnjë nga milanistët nuk përton të akuzojë Ibrën pas çdo ndeshjeje ku nuk shënon ose bëhet egoist në dy-tri raste. Nuk jam një njeri që pëlqej të akuzoj fatin për mos-sukses dhe për lëndime, por vërtetë është munduar të shënoj kundër Lazios, por nuk ia arriti. Biava ishte i ngjitur për të dhe kishte ndihmën e menjëhershme të pesë vetave për të bllokuar Ibrën. Për këtë është dashur që loja të përqëndrohet tek Pato dhe Robinho më shumë, dhe sidomos Pato është dashur të jetë më aktiv në zonë duke shpërqëndruar vëmendjen e mbrojtjes kundërshtare nga Ibra.

Sidoqoftë falë Ibrës ne nuk po pranojmë gola, pasi skuadrat kundërshtare më shumë përqëndrohen të mbrohen se sa të sulmojnë. Gjithnjë kundërsulmet rezultojnë me gola të pranuar, dhe kjo është vërejtur disa herë gjatë kësaj sezone. Pra, edhe nëse nuk shënon Ibra, ai sigurisht po ndikon në mospranimin e golave.

Kozakosa

Në hokej mbi akull, në ligën NHL është e lejuar të rrahen dy lojtarë nëse heqin dorëzat. Nuk guxojnë të përdorin mjete ndihmëse dhe duhet të largojnë helmetat. Është interesante, sidomos mbrëmë ishte interesante kur portjerët e Pittsburg dhe NY Islanders u përleshën, Johnson dhe DiPietro. Çekia është 6 herë kampione bote dhe 1 herë kampione olimpike. E pikërisht nga Opava e Çekisë është me prejardhje sulmuesi i Lazios, Libor Kozak. Kozak nokautoi gjysmën e skuadrës sonë, e dy vetave u nevojitën të largohen nga loja për të mos u kthyer. Gjyqtari gjithçka bëri ishte një karton i verdhë që ishte tepër i zbehtë për të. Kozak është çek, dhe ndoshta ka shpirt agresiviteti, por sigurisht ka gabuar profesionin. Tomas Plekanec është një hokejist çek që më pëlqen së tepërmi, por ai s’është aspak afër agresivitetit të Kozak. Kozak duhej të përjashtohej shumë herët, para se të nokautohej edhe Legrottaglie. Sidoqoftë edhe gjyqtarët gabojnë, e edhe futbollistët fitojnë përvojë dhe shpresoj që Kozak që është vetëm 21 vjeç të mbledh mend ose të ndryshoj profesionin sa s’është vonë.

Do të doja të shkruaja edhe më shumë, sidomos për transferimin e fundit. Më parë dyshoja që ka ndonjë turk në kryesi, tashti jam i sigurt që edhe nëse nuk ka, dikush ka marrë këshilla nga turqit. Ky vërtetim vjen pas transferimit të njeritu me përvojë, është vetëm i dyti për nga vjetërsia në skuadër pas Yepesit, i cili për habi timen po shkëlqen. Edhe pse është i vjetër ka qenë i shkëlqyeshëm këto ndeshjet e fundit, për më tepër ka qenë më i angazhuari në lojë. Por, vjen koha e Tottenhamit e shpresoj edhe e skuadrave tjera nga Liga e Kampionve.

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: