Nafaka…
Që të tri ndeshjet e para, Palermo ishte ndihmuar nga nafaka. Dhe gabimet e kundërshtarëve. Ashtu ishte dhe ndaj nesh. Goli i parë ishte një gabim që ndodh një herë në shekull nga Diego Lopez. Goli i dytë ishte gabim i mbrojtjes.
Çdo javë po e përmend që mbrojtja ka nevojë për kohë të stabilizohet. De Sciglio dhe Calabria si krahë po më pëlqejnë. De Sciglio e ka pasur një lojë të mirë, edhe atë kundër Inter. Gjithnjë ka qenë nën nivelin që kemi pritur nga ai.
Të mos bëjmë të njëjtin gabim edhe me Calabrian. Të mos presim shumë e të dëshpërohemi më pas.
Vera…
Gjithçka kishte nisur me ardhjen gati të konfirmuar të Dani Alves. Kjo nuk ndodhi, dhe pastaj mbetëm me Abaten. Pse? Çfarë shohin njerëzit tek Abate? Vërtetë është i paparashikueshëm, ngjashëm si jeta dhe krosimet e tij!
DB25 e Zac82 na kanë lënë. U gëzohesha lëndimeve të ‘legjendarit’ që tashti po fundos nëndetësen e verdhë. Tashti po u gëzohemi lëndimeve të Abates. Për të parë Ignazion në fushë vetëm një njeri ka pasur qejf – Diego Militor.
Shpresojmë që gabimet e tilla mos ti përsërisim verën e ardhshme me Montolivon, Nocerinon, Alexin apo të tjerët…
Bacca…
Lindi në Twitter e përmendi që ia kujton Shevchenkon. Sheva është i pazëvendësueshëm, por vërtetë në Baccan kemi diçka që na kujton kohët e Shevës. Kohët kur pa marr parasysh rezultatin e dinim që mund të ktheheshim në lojë derisa kishim 7shin përpara.
Lum na për Baccan!
Tashti e kemi sulmin me një lojtar që gjithnjë do të jetë aty për të na dhënë shpresë. S’do të duhet të ndërrojmë kanalin nëse pësojmë gol në 20 minutat e fundit. Shpresa nuk do të vdes derisa kemi një lojtar të tillë përpara.
Loja kundër Palermos ishte e mirë. Po pësojmë shumë gola. Por, ka përmirësime. Me kohë do të vijnë edhe rezultatet më të vazhdueshme, dhe loja më stabile, më kontrolluese. Ky Milan të jep shpresë!