Edhe një muzikal nga pena e Lin-Manuel Miranda, edhe një kryevepër.

Si një fans i këtij zhanri, duhet të jem falënderues që po jetoj në këtë periudhë kur Miranda e ka marrë seriozisht jetësimin e veprave të tija në film.

Por, ndoshta do të ishte më mirë mos të shfaqej në ekran, si këtu kur nuk ka një rol aq të këndshëm, dhe disi shërben si “prishës” i harmonisë që ndodh në lagjen Washington Heights të Nju Jorkut, kryesisht të banuar me dominikanë.

Mund të themi që është një frymëzim nga West Side Story, por ka shumëçka në vete që e bën origjinal, nisur nga historia e Usnavit, i cili ka një dyqan në këtë lagje derisa u tregon historinë e jetës së tij katër fëmijëve. Misioni i tij jetësor është që të kursejë çdo cent që fiton për një jetë më të mirë.

Aktorët nuk janë aq të njohur, nisur nga Anthony Ramos në rolin e Usnavit, gjyshja e tij Klaudia, dhe një kallaballëk fqinjësh, për shumicën e të cilëve ‘In the Heights’ mbetet titulli më i popullarizuar kinematografik deri tash.

Ky anonimitet i aktorëve nuk paraqet kurrfarë problemi, e ndoshta përkundrazi e bën filmin më të afërt me shikuesit. Kjo shtohet edhe nga afërsia që kanë banorët e kësaj lagje, bujaria e zemërgjerësia që vërehet nëpër momente të ndryshme gjatë filmit, i cili si muzikal anon kah mosparaqitja “eksplicite” e ngjarjeve jo të hareshme në skenë.

Është një histori e këndshme, inspiruese, e transformuar shkëlqyeshëm në këndim e vallëzim, që paraqet telashet që kanë një pakicë në një qytet të madh, përfshirë edhe ndaljen e rrymës!

Do ta quaja një muzikal familjar, një dramë muzikale. Njëri ndër titujt e preferuar të vitit 2021, edhe një vepër tjetër e Lin-Manuel Miranda e kthyer në film nga një emër me përvojë në këtë zhanër filmash, Jon M. Chu. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: