Categories
Filma

Inglorious Basterds (2009) – Recensim

Multitaskingu nuk është gjë e frytshme.

Përkrahës i kësaj metode nuk është as Aldo Raine, një toger amerikan me prejardhje çifute.

Me të zbarkuar në Francë, ai iu thotë qartazi ushtarëve të tij.

“Do të bëjmë vetëm një gjë dhe asgjë tjetër – do të vrasim nazistë.”

Dhe nga aty, rrjedha e ngjarjes është e thjeshtë – një grup ushtarësh amerikanë nisin gjahu kundër nazistëve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe për çdonjërin nga ta, Aldo kërkon skalpin e tyre.

Është një nga aktrimet më të mira të Brad Pitt, ku sjellë një karakter që afrohet me shikuesin për shkak të gjahut kundër të këqijve. Dhe ky gjah është i papërmbajtshëm, i pakufishëm, ashtu siç di ta bëjë Tarantino.

Gjak. Shumë gjak. Kryesisht nga amerikanët, të cilët të udhëhequr nga Pitt vazhdojnë gjahun për liderët e nazistëve, me një plan goxha mirë të ndërtuar, rreth të cilit kalohet një kohë e konsiderueshme, dhe mirë e zbërthyer në detaje, në film.

Konceptimi i karakterit të Aldo Raine nuk është aq i zorshëm – një hero në luftë kundër të këqijve.

Konceptimi i karakterit të kolonelit Hans Landa, një nazist gjerman që terrorizon francezët e pambrojtur, dhe niset në ndjekje të togës amerikane, nuk është aspak i lehtë.

Nuk është lehtë të kënaqesh me një karakter nazist, të kërkosh sa më shumë skena me të, monologët e tij, e edhe italishten e tij, befasisht të rrjedhshme. Dhe këtë e ka bërë Quentin Tarantino, duke e ndërtuar historinë e tij ashtu që shikuesi ta kërkojë vazhdimisht Landën, dhe ta përkrahë – jo veprat e tij sa misionin e tij – në arritjen e përballimit me Rainen.

Tarantino ka krijuar dy karaktere në pole të kundërta, aktrimi i të cilëve nuk mund të paramendohet sot nga emra tjerë pos Brad Pitt e Christopher Waltz, për shkak të punës fenomenale që bëjnë.

Ndonëse vetëm Waltz u shpërblye me Oskar, nuk mund të përjashtojmë nga i njëjti nivel aktrimi i Pitt. Që të dy luajnë ndoshta rolin e karrierës së tyre deri sot, 12 vite më vonë. Që të dy karakteret janë të palëvizshme nga kinematografia e 2000tave.

Ashtu sikur në këtë shkrim, Diane Kruger mund të mbetet anash gjatë rrëfimit të historisë së këtij filmi. Por, karakteri i saj mbetet një nyje që mban të lidhur historinë e këtij filmi, dhe njëkohësisht shtron një trajektore të tretë në ‘Inglorious Basterds’.

Tarantino është i njohur për aftësitë e tija që të shtrojë disa histori me lidhje edhe të padukshme për shikuesin në veprat e tija. Kjo është më e thjeshtë.

‘Inglorious Basterds’ mbetet njëri ndër filmat më të mirë në karrierën e të gjithëve të përfshirë në rolet kryesore dhe vet Tarantinos. Njëri ndër filmat më të mirë që kemi parë. Njëri ndër filmat më të kënaqshëm për luftën, pa tërë terrorin dhe trishtimin që jep lufta. Në vend të kësaj kemi dy karaktere, dy misione, dhe një finale të mrekullueshme. Nota personale: 5/5