Categories
Televizioni TV Reviews

Intelligence 1×01 – Recensim

Pilot

Sojer është kthyer në TV. Për fansat e Lostit ky padyshim që është një lajm i mirë, dhe kompletim shtesë i një oferte që të kemi aktorët përsëri në jetët tona.

Me Benin tani në ‘Person of Interest’, dhe Kejt tek ‘The Hobbit’, si dhe karakteret tjera nëpër filma kohëpaskohe, ‘Lostmania’ vazhdon të frymoj akoma.

Sojer tani është Gabriel, një agjent me superçip kompjuterik të instaluar në trurin e tij. Ai përkrahet nga një skuadër e agjencisë në misionet e tij, e i pari ishte të shpëtoj njeriun që i ka instaluar çipin inteligjent në kokën e tij.

Episodi i parë nis me plotë aksion, furishëm me Gabrielin që shkon në një hapësirë që del të jetë një ambient i shkatërruar. Në këtë skenë na shfaqen së pari aftësitë e tij super-kompjuterike me riimagjinimin e skenës së mëparshme. Kjo është një ndër vetitë kryesore të tij. Ai duket të jetë në gjendje që me anë të lidhjeve satelitore të ketë një pamje ultra-të kuqe të ambienteve që nuk i lë hapësirë askujt të fshihet prej pamjes së tij.

Ky episod ecën me një ritëm të përshpejtuar, ndoshta edhe me disa lëshime në skenar, megjithatë është një debutim i kënaqshëm artistik.

Tani, Josh Holloway ka emër si Marg Helgenberg që ka një rol më dytësor si shefja e tij, dhe padyshim që kjo i rrit vlerën serialit. Meghan Ory do të jetë pjesë kryesore e serialit, shoqëruesja e karakterit të Holloway, dhe harmonia e tyre në episodin e parë duket të jetë e kënaqshme, por, as mos të ju shkoj mendja të bëni një krahasim me dyshen Sojer-Kejt.

Kasti është i mirë, premtues, ngjashëm edhe skenari. Vetëm nevojitet një histori mirë e shtjelluar, që premtohet në fund të episodit të parë, duke lënë të kuptohet si një betejë ndërmjet dy qenieve super-inteligjente, një luftë e ftohtë që do të bazohet në këto dy ‘armë’.

Sa i përket numrave, episodi i parë ka debutuar shkëlqyeshëm. Është seriali me shikueshmërinë më të madhe në debutim këtë sezon. Por, është shfaqur pas programit më të shikuar në TV, NCIS, përparësi të cilën nuk do ta ketë të hënave në ora 10. Megjithatë është inkurajuese ruajtja prej 93% që ka pasur në gjysmëorën e dytë të martën.

Sigurisht do të ketë shikueshmëri shumë të mëdha se ‘Hostages’ e dështuar. 13 episode janë të sigurta, por, nëse arrin të mban së paku 80% të kësaj shikueshmërie të hënave kundër ‘Castle’ e ‘The Blacklist’, mund të presim edhe një sezon të dytë të ‘Intelligence.

Jo vetëm fansat e Lost mund të gjejnë kënaqësi në këtë serial. Është shumë më i mirë se ‘Almost Human’. Paksa super-teknologjik, por, personalisht më ka pëlqyer, dhe kohëpaskohe do të kthehem ta shikoj, varësisht si ecën ngjarja.

Nota fillestare 8/10.

Luan Morina

Kritik për TV