Categories
Filma

Isle of Dogs (2018) – Recensim

Filmat e Wes Anderson kanë një stil në vete, dhe nuk të duhet shumë kohë të vëresh lëvizjen horizontale të karaktereve që të kujton botën dy-dimenzionale televizive, ndoshta edhe në kohën e ‘badum-badum’-it (La Linea) të Osvaldo Cavandolit.

Të mbash një stil personal të film-bërjes, si në animacion me mocione ndaluese, si në film artistik ‘të gjallë’, gjithnjë duke provuar të freskosh jo vetëm skenarin, por edhe stilin artistik duke e përshtatur me temat që trajtohen, nuk është lehtë. Për këtë arsye, Wes Anderson meriton një respekt të veçantë për punën që bën në kinematografinë, e cila si çdo gjë në botën kapitaliste, çdo ditë e më shumë i dorëzohet komercializmit duke lënë në plan të dytë pjesën artistike.

Ishulli i qenve (Isle of Dogs) është një vend utopik, një ishull japonez ku depërtohen qentë të cilët akuzohen se i kanë shkaktuar njerëzimit gripin e qenve. Njëri nga shumë qentë e depërtuar është edhe ai i Atari Kobajashit, i cili është nipi i prefektit i cili ka marrë vendim për dëbimin e qenve në ishullin e bërllokut. Atari niset në kërkim të qenit të tij Spots, dhe me të arritur në ishull takohet me një grup qenesh të cilët premtojnë t’i ndihmojnë Atarit, pos njërit nga ta – Chief, një qen rruge.

Zërin e Chief e gjallëron Bryan Cranston. Zërat tjerë janë huazuar nga bashkëpunëtorët e rregullt të Anderson – Edward Norton e Bill Murray; Jeff Goldblum, Greta Gerwig, Frances McDormand, Scarlett Johansson, Harvey Keitel, F. Murray Abraham, e Koyu Rankin e Akira Takayama. Pra, është një ansambël me emra jo pak të njohur të cilët kanë hapësirë të konsiderueshme përkrah dy karaktereve humane në film.

Tek ‘Isle of Dogs’, tema është origjinale, mirë e përpunuar, sidomos në aspektin teknik. Për fansat e Wes Anderson është një film i shkëlqyeshëm i cili nuk dëshpëron ata të cilët presin vetëm një dozë tjetër të produktit të tij. Ata që presin më shumë, diçka më të veçantë, mund të dëshpërohen paksa. Por, ‘Isle of Dogs’, mbetet ndër filmat më të mirë të animuar të vitit. Sigurisht, ndoshta më i veçanti. Nota personale: 5/5