Categories
Journal

Ja se si… (me VIDEO) (2)

E kur jemi tek pavarësia e mediave…

Është një tabu, një utopi e cila përkrahet në masë të madhe nga EBU. Derisa televizionet publike funksionojnë në vendet nordike e të Evropës perëndimore, funksionimi i tyre nga Italia e këtej në Lindje është sipërfaqësor.

Të gjitha kanë një qëndrim. Dhe qëndrimet provojnë ti fshehin duke u shitur si të pavarura. Pavarësia e mediave është rrenë. E nëse mendoni që ka ndonjë media që është krejt e pavarur, atëherë kujtojeni gjahtarin nga filmat e ‘Buggs Bunny’, dhe ato skenat kur ai shndërrohet në një gomar pasi është mashtruar nga kafshët të cilat i gjuan.

Mbi 60 media kanë përkrahur Hillary Clinton në zgjedhjet e fundit në SHBA. Përkrahja e tyre ka qenë publike. Shumica e mediave kanë qëndrim publik politik në Perëndim. Dihet se cila është e cilit krahë, dihet se cila është pronë e kujt. Dhe askush nuk i fsheh qëndrimet e tyre pasi që nuk janë të frikësuar nga mendimi i tyre. Mendimi, çfarëdo qoftë respektohet.

Ka qenë një dokumentar shumë i shkurtër, tri episode kah 18-20 minuta, për tri vende diktatoriale në ish-vendet e BRSS-së. Mos e leni pa e pa. ‘Dictatorland’ quhet. Mund të hidhni shumë paralele ndërmjet atyre vendeve dhe këtu ku jetoni.

Fshehja e qëndrimit politik të mediave është akt i ultë qyqar, sidomos kur shiten si të pavarura, duke nisur nga Radio Televizioni Publik, i cili ‘sulmohet’ sa herë që hidhet në dyshim transparenca dhe paanësia e tij.

Shkojmë tek portalet.

Portalet dhe lulëzimi i tyre tek ne është rezultat i kokëfortësisë, dhe në masë të madhe paditurisë, së televizioneve dhe mediave tjera të cilat refuzonin të evoluonin me kohën. Si rrjedhojë sot kemi dhjetëra portale që lindin e shuhen brenda disa muajve.

Është për tu qeshur kur shumica prej tyre bazohen në pavarësinë e tyre editoriale. Pavarësi të cilën e dëshmojnë duke fshehur edhe emrat e redaksisë nganjëherë, e lëre më pronarëve. Të gjitha nisin me një mision të tyre të veçantë, i cili zakonisht është për tu sulmuar, njollosur një palë të caktuar. Më e keqja nga e gjithë kjo është që ngjiten në shpinë të praktikantëve të cilët pranojnë të punojnë me orare të stërgjata (edhe deri 60 orë në javë, me një ditë pushimi në dy javë), pa ndonjë sigurim, e gati gjithmonë pa kompensim. Pasi normal që atyre ju nevojitet përvoja. Me të marr përvojën, vjen turi tjetër që ka nevojë për përvojë, dhe përsëritet cikli.

Edhe më e keqe është që disa nga praktikantët duke tentuar ndoshta edhe të bëjnë emër, e edhe tu futen në qejf eprorëve të tyre, nisin të njollosen duke u përzier në luftën që nuk u takon atyre. Nesër kur misioni i portalit përfundon, këta praktikantë duhet të zhvishen si një lëkurë kameleoni për të marr kostumin tjetër, ndoshta në një mision të kundërt.

Ajo çfarë shitet tek ne janë mbiemrat në shkallën sipërore, titujt skandaloz të shkruar me CAPS LOCK, dhe kuptohet pornografia.