Categories
TV Reviews

Jesus His Life – Sezoni 1

Nuk janë të paktë emrat e gjërat që ndajnë e njëkohësisht bashkojnë shumicën e besimeve perëndimore, sidomos ato abrahamike. Sigurisht që figura kryesore është Jezui.

Shumë vepra artistike janë bërë në tentim të portretizimit të historisë që rrethon Jezuin, dhe sidomos jetën e tij, por më duhet të përmend patjetër këtë histori tetë episodesh të prodhuar nga History Channel.

Pos që është e fundit, seria është një përzierje ndërmjet opinioneve të ekspertëve nga fusha të ndryshme, dhe inskenimit të ngjarjeve kryesore nga jeta e Jezuit, si dhe momentet kyçe para lindjes dhe pas vdekjes së tij, por në përmasa minimale.

Historia është e shtrirë në mënyrë lineare, me një shpërndarje të mirë të ngjarjeve. Për më tepër, më ka pëlqyer edhe mënyra si janë ndarë brenda episodet pjesa faktike dhe ajo artistike. Tek kjo e dyta më duhet të përmend që përzgjedhja e aktorëve, personalisht gjithmonë, nuk më është dukur e dobët. Marrë parasysh llojin e programit, nuk besoj që do të kishin mundur të bënin diçka më tepër. Edhe aktrimi nuk është kushedi sa i veçantë, sidomos i aktorit që luan Jezuin, por marrë parasysh papërvojën, del një paraqitje mesatare.

Dikush me njohuri më të thella mund të mos pajtohet me shumicën e teorive të përmendura që nuk janë në vijë me atë që konsiderohet si fakt i pamohueshëm. Mendoj që teori të tilla vetëm sa mund të përforcojnë besimet në teoritë tona që kemi, dhe njëkohësisht të japin alternativa në rrjedhën e ngjarjeve. Flas po të ishte një qasje e këtillë për një figurë kaq me vlerë në besimin tim personal. E di që një pjesë e madhe do të kundërshtonin çfarëdo alternative, por mendoj që do të ishte gabim një qasje e tillë. Tekefundit është vetëm një dramë, me komentime të shkurtra.

Por, as dokumentarët nuk mendoj që duhet të merren si diçka absolute. Absolute mund ta marrim vetëm Zotin, pa marrë parasysh mënyrën si arrijmë tek Ai. Rrjedhimisht mendoj që seri të këtilla, jo qëllimkëqija, janë kontribut i mirë për shoqërinë. Vetëm edhe të përgatiteshin më mirë. Nota personale: 3/5