Categories
Filma

Joker (2019) – Recensim

‘Kesh pak, o shpiert!’

Ka dhjetë vite, kur kjo fjali nga një veturë e ndalur tek rrethi i flamurit i drejtohej një vajze e cila priste autobusin lokal. Fatkeqësisht, nuk ka qenë as rasti i parë, as i fundit që dikush e ka ‘këshillu’ një vajzë e cila ka qenë duke u marrë me punët e saja, me ‘keshë’. Nuk ka qenë as vajza e parë e as e fundit që merr kësisoj ‘këshillash’.

Dhe kjo mbushet e mbushet e mbushet, deri kur një ditë BAM…

Mirëpo, ky shpërthim nuk ndodh, pasi që ajo mbyllet në vete, vendos dëgjueset të cilat shpreson ta dërgojnë me një botë ku do të respektohet e çmohet si njeri i lirë, si dikush që guxon me ec natën pa pasur nevojë të dridhet në çdo lëvizje të vogël, pa pasur nevojë të kthej kokën mbrapa, pa pasur nevojë të ‘këshillohet’ për të ‘keshë’, në mesin e shumë ‘këshillave’ tjera që merr!

Zakonisht për një vrasje dënohet dorasi, por si për çdo vetëvrasje, dorasi janë shoqëria pasi që ne vet formojmë vrasësit, dorasit, dhunuesit, dhe krejt të ligat që lindin, zhvillohen, dhe arrijnë kulmin e krimit para syve tanë. Krejt kjo deri sa presim një super-hero të shfaqet e të na shpëtojë nga një rrezik jashtëtokësor, nga një përbindësh që ka vendosur të shkatërrojë njerëzimin. Thuajse njerëzimi nuk është i aftë të shkatërrohet vetvetiu, nga brenda.

Xhokerët, pa marrë parasysh gjininë, moshën, e racën, i krijon shoqëria. I krijojmë ne, por ‘fatkeqësisht’ nuk e paguajmë indiferencën tonë. Dhe si masë mbrojtëse, çohemi e kritikojmë gjithçka e secilin që na e prish botën tonë të rehatshme. Përfshirë edhe filmin ‘Joker’.

Ashiqare ky nuk është një film super-heronjsh që jeni mësuar ta shijoni. Nuk ka luftë me jashtëtokësorë gjigant, e as lufta civile. Nuk ka eksplodime, as xixëllonja. Ka zymtësi, e cila si çdo film e karakter nga universi i DC-së, gërshetohet me jetën e përditshme duke iu afruar realizmit deri në fund.

Aktrimi i Joaquin Phoenix është ia papërshkrueshëm. Karaktere të ngjashme, me probleme të ndryshme ka portretizuar edhe më parë. Ka shkëlqyer në të gjitha. Shkëlqen prapë. Todd Phillips ndërron univers sa i përket realizimeve filmike, ndihmuar nga një fotografi, skenar, e kolonë zanore fantastike.

Është film i veçantë, monumental, që do të mbetet në histori të kinematografisë si një prej realizimeve më të përkryera. Sigurisht që nuk do të merr vlerësimin e merituar nga shoqëria e gjerë. Njëjtë sikur sëmundjet mendore, përmendja e të cilave ju rrëqeth pak. Për atë edhe nuk e përmenda deri tashti. As faktin që një ditë do të shfaqet një xhokere në rrethin tonë, dhe do të ‘keshë’ për krejt ata që e ‘këshillojnë’ me ‘keshë.’

Joker’ është më shumë se film. Është një betejë ekzistenciale në një shoqëri shtypëse. Nota personale: 5/5