Categories
Filma

Joyeux Noel (2005) – Recensim

Ajo çfarë konsiderohej tradhtia më e lartë në Krishtlindjet e vitit 1914, sot shihet si një ndër mrekullitë më të mira të luftës!

Në fakt, një javë pas ‘armëpushimit të Krishtlindjeve’ më 24 dhjetor 1914, në Luftën e Parë Botërore, gazetat evropiane kanë lavdëruar atë veprim të ushtarëve gjerman, francez, e skocez.

Filmi i Christian Carion sjell të adaptuar për film, armëpushimin në Frontin Perëndimor, kur natën e Krishtlindjeve, në tri llogore kundërshtare, trupat gjermane, skoceze, e franceze, gjersa festojnë Krishtlindjen, nisin të vëllazërohen duke arritur një armëpushim aty për aty, që pason nga shoqërimi i tyre, organizimi i meshës së përbashkët, këngë e dolli, rrëfime historish, dhe disa çaste futbolli.

Diane Kruger vjen në rolin kryesor të një këngëtareje e cila ia del të shkojë në front për të kënduar për ushtarë gjerman në mesin e të cilëve është edhe i dashuri i saj, Benno Furman. Daniel Bruhl vjen në rolin e togerit gjerman, Guillaume Canet në atë francez, Alex Ferns si toger skocez. Megjithatë, ai që vjedh skenën nga tjerët është Gary Lewis në rolin e atit skocez i cili del si një figurë unifikimi.

Nuk është një ansambël i njohur aktorësh, por është një aktrim goxha i zellshëm nga të gjithë të përfshirët në film.

Vet filmi, është një ode ndaj armëpushimeve të ngjashme që thuhet se kanë ndodhur edhe para ngjarjes në fjalë, dhe të cilat më pas janë trashëguar në luftërat e mëvonshme, pa marrë parasysh religjionet.

Filmi është një mesazh i qartë për zymtësinë dhe terrorin e luftës, një dedikim për ata që janë numër viktimash në fund të saj, kur vendimmarrësit ngrehin dollinë e pajtimit, derisa 16 milion veta nuk ishin më në fund të Luftës së Madhe, siç quhej para 1945tës Lufta e Parë Botërore, para se njëzetepesë vite më pas edhe 60 milion tjerë të mos ishin më.

‘Joyeux Noel’ zhvesh përbindëshin nga njeriu. Zhvesh luftën nga vet lufta, duke e bërë njerëzimit të triumfojë ndaj të ligës. Na dëshmon disi që armiqësitë janë të përkohshme, por me pasoja fatale për individë.

Sa e përkohshme është armiqësia, e dimë ne si popull, të cilët në Betejën e Kosovës, luftonim përballë serbëve kundrejt otomanëve, e njëzet vite më parë, turqit sulmonin serbët për të na shpëtuar neve. Kushedi çfarë armiq do të krijojmë 104 vite më vonë. Deri atëherë, është e nevojshme të shikojmë filma luftash, vetëm të rikujtojmë tmerrin e saj.

‘Joyeux Noel’ nuk është një film lufte. Është një film paqe e dashurie. Është një film festash. Nota personale: 5/5