Categories
lomsh

Judas and the Black Messiah (2020) – Recensim

Filmi nis me një shpjegim të thuktë se çfarë na pret në dy orët e ardhshme.

Inspiruar nga ngjarje të vërteta, Bill O’Neal jep një intervistë për televizion kur e pyesin se çfarë ka për t’i thënë të birit të tij. Para se të dëgjojmë fjalët e tija në vitin 1989, kthehemi tek revoltat racore në SHBA, vrasjen e MLK, zanafillën e Panterëve të Zinj, dhe fjalët e një Fred Hampton para kamerës. Kush është Fred Hampton mësojmë nga drejtori i FBI-s, i cili thekson fuqishëm nevojën për të parandaluar ‘ngritjen e një profeti të zi’ i cili do të ‘destabilizonte’ gjendjen.

Mësuam se kush është profeti!

Tani radhën e ka Juda.

LaKeith Stanfield i cili më ka pëlqyer së tepërmi në ‘Sorry to Bother You’ dhe ‘Atlanta’, sjellë edhe një aktrim fenomenal në rolin e Judës, i cili do të duhej të infiltronte organizatën e Panterave të Zeza, dhe t’i afrohej Fred Hamptonit.

Në këtë mision, ai rekrutohet dhe asistohet nga fytyra e njohur e karaktereve ‘të bardha’ negative – Jesse Plemons! Ndërkohë Fred Hampton është Daniel Kaluuya, i njohur për ‘Get Out’ dhe ‘Black Panther’.

Pak a shumë po e dimë ku do të përfundojmë, dhe besoj që këtë ekipi realizues e ka bërë marrë parasysh që historia është e njohur për shumicën e shikuesve vendas. Për neve, shumica që nuk kanë njohuri aq të thella në lidhje me këtë lëvizje, ky film do të jetë pak i huaj, por edhe më shumë edukues!

Aktrimi i dy karaktereve kryesore në rolin e profetit dhe judës është i shkëlqyeshëm. Mbi të gjitha, më kanë pëlqyer fjalimet dhe karizma e Kaluyaas duke sjellë një lider të vërtetë në Fred Hampton.

‘Judas and the Black Messiah’ nuk është vetëm një film i radhës në lëvizjen për emancipimin në lidhje me historinë e luftës kundër racizmit. Është një film i realizuar për mrekulli, me detaje të shumta historike (të inspiruara, jo histori e njëmendtë patjetër), me një aktrim e realizim teknik mjeshtëror. Nota personale: 4/5