Anglezët fituan sikur kampion të Kupës së Botës pas fitores së madhe ndaj Iranit. Tash, me avantazh në golaverazh, ata do të jenë më të kujdesur në dy ndeshjet e ardhshme, ku u mjafton të mos mposhten dy kombëtaret tjera që të kalojnë grupin.
Njëjtë, edhe humbja e Argjentinës nuk eliminon ata nga Kupa e Botës, përkundër euforisë së madhe të kundërshtarëve të tyre.
Marrë parasysh Poloninë, që nuk e shoh si ekip serioz në gara të mëdha, dhe paaftësinë e Meksikës për t’i mposhtur ata, Argjentina mbetet me gjasa të mira të kalojë grupin, edhe atë si lidere.
Referi
Sigurisht që më kënaqin befasitë, fitoret e më të dobëtëve karshi shumë më të mirëve se ta. Sidomos një paraqitje e tillë që në fund i kishte lodhur e rraskapitur sauditët sa që kisha frikë që Saud do të rrëzohej nga lodhja.
Rrëzimi i ndodhi njërit nga më të mirët para katër viteve në Rusi, Al-Shahranit.
Çdo goditje në kokë, qoftë edhe nga topi, sot kërkon ndaljen e aksionit menjëherë. Gjyqtari priste në mos shënojnë gol Argjentina, e pastaj të merrej me mbrojtësin saudit i cili në plan të parë dukej i palëvizshëm.
Gjyqtari ishte i njëanshëm, si në vazhdimin e ndeshjes për 6 minuta ani pse për 3-4 minuta kishte mbaruar dhënia e ndihmës mjekësore Al-Shahranit, në ndaljen e gjuajtjes së lirë para krejt këtyre ani pse topi vetëm kishte shkuar lart mbi portë, pa avantazh.
Po të barazohej rezultati, apo të humbte Arabia Saudite, gjyqtari do të ishte në qendër të vëmendjes. Sigurisht, pos nëse Messi do të shënonte het-trik për rikthim.
Vija e lartë
Më e mira e Arabisë Saudite ishte vendosja e vijës së lartë të mbrojtjes dhe ngushtimi i krejt ekipit në atë që nuk dukej as çereku i terrenit kur nuk kishin posedimin.
Në pjesën e dytë prisja një shpartallim të kësaj vije nga Scaloni, por…
Prandaj them që VAR-i është gjëja më e mirë që i ka ndodhur futbollit!
Musiala
Pres shumë, mos të them më së shumti nga Jamaal Musiala në këtë Kupë të Botës. Ka pasur një sezon fantastik me Bayernin, dhe nëse Flick arrin të nxjerrë më të mirën nga ai, mund të kemi njërin ndër talentet që do të befasojnë në këtë botëror.
Befasia tjetër do të duhej të ishte dështimi eventual i Kroacisë, që prapë them pa meritë ka arritur në finalen e para katër viteve – penalltitë dhe kundërshtarët inferiorë.
Askush s’do thoshte që Kroacia është e dyta në botë. Tash koha të dëshmohet kjo!