E para që bëjnë kur u tregoni për një dyshim konspiracioni është nënçmimi dhe përqeshja e kësaj ideje.
Të gjithë ëndërrojnë një finale Argjentina – Portugalia, që do të ishte kulmi i njërit prej dy futbollistëve para se të lundronin në pensionim, njëri në Amerikë tjetri në Arabi.
Konspiracione të tilla ka pasur gjithmonë, që nga ajo ideja për të vënë përballë Realin e Barcelonën në finalen e Ligës së Kampionëve, por gjithmonë një gjerman ka prishur këto plane, ëndrra të filmave të Hollivudit.
Herë Gotze, her Bayerni e Dortmundi. E gjermanët kësaj radhe mund t’i prishin planet vetëm Portugalisë, nëse ia dalin të kualifikohen.
Përqeshja
Sigurisht që planet konspirative janë të këndshme për tu diskutuar, e për tu marrë parasysh, por jo për të fjetur mbi to, për tu bërë obsesion. Sigurisht që jo vetëm FIFA, por një pjesë e madhe do të donin një finale të tillë, e më së shumti fansat e Argjentinës që të kishin një arsye për të dëshmuar që i adhuruari i tyre është më i miri.
Polonia
Katër gjuajtje në portë në tri ndeshje është statistikë e turpshme. Edhe më e turpshme është për një kombëtare të ruan disavantazhin prej dy golave me shpresën që Arabia Saudite do i dërgojë ata më tutje.
Këta janë polakët, dhe me këta jemi mësuar në këso gara të mëdha. Nuk është asgjë e befasishme kjo. Fajin e ka vetë Meksika që nuk i mposhti në duelin direkt. Nuk kanë faj as fair-play as Szcsezny, askush pos meksikanëve.
Konspiracioni 2
A mund të themi që Argjentina, dhe sidomos Messi kanë ‘shitur’ ndeshjen ndaj Arabisë Saudite?
Sikur mos të ishte VAR do thoshin, por gjithë ata ofsajda e hedhin poshtë këtë teori, ani pse penalltia e mbrëmshme ishte e falur. Fajin kurrë nuk e ka VAR, fajin e kanë ata që e komentojnë VAR.
Edhe referët evropianë kanë qenë më të dobëtit deri tash.
Belgjika
Është koha t’i themi lamtumirën njërës nga kombëtaret që ka premtuar më së shumti, por ka dështuar në mënyra spektakolare. Nuk meritojnë më shumë. Kurrë nuk kanë merituar.
Do të jetë kënaqësi sikur të eliminoheshin sot!