‘90tat

Nganjëherë i dëgjoni disa më në moshë kur thonë ‘ma mirë osht kon ktunihere’.

Fatmirësisht, ata përqendrohen vetëm në një pjesë muhabeti të një pasdarke pas të cilës ke dëgjuar lajmet e orës 11 që ka qenë informata e fundit deri nesër në mëngjes.

Pa telefon, pa internet, pa televizione (nuk ka pasur transmetim natën), e ndoshta ndonjë radio ka qenë si ‘LAJMI I FUNDIT’.

Edhe prej këtyre, në shqip i ke pasur vetëm 2 orët e RTSH, të cilët lajmet e orës 18:30 ia kanë dedikuar më shumë Kosovës, para një ore argëtim, dhe me lajmet e orës 20:00 kanë shkuar në pushim.

Kosova e ‘90tave

Deri në pjesën e dytë të 90tave, 1997-1998, nuk ka pasur as gazetë, as radio, e as televizione shqip. Krejt informatat janë marrë nga thashethemet, të cilat shpeshherë kanë ardhur nga agjentë të fshehur të okupatorit, shumë prej të cilëve në ‘99tën u bënë pjesë e shpëtimtarëve.

Televizioni i parë tokësor shqip që ka qenë në dispozicion në Kosovën juglindore e qendrore ka qenë TV Hana nga Kumanova, që ishte televizioni i vetëm shqip krahas dy orëve të MRT2, derisa RTV Prishtina ka qenë një propagandë e Millosheviqit në gjuhën shqipe.

E shtunë, ora 9 e mbrëmjes

Kur ke braktisur vendin tënd, i detyruar nga akuza bizare e të trilluara – ke shkruar kundër pushtetit, ke armë, ke deviza, nuk e ke kryer shërbimin ushtarak – rrugës për në Perëndim nuk ke pasur si të bëje ‘check-in’ apo të lajmëroje me telefon që kalove këtë mal apo tjetrin, pasi kufiri legal nuk ka qenë i mundshëm.

Kanë kaluar ditë, javë, muaj, e ndoshta edhe vite pa dëgjuar zërin e familjes tënde, pa e ditur a jeni gjallë apo të vdekur.

TV Hana e ka pasur një program të shtunave në ora 9 të mbrëmjes, ku këta që patën dalë në mërgim komunikonin në mënyrë indirekte me familjet e tyre në Kosovë.

Pra, ka qenë njëlloj postieri i cili ka përçuar një telefonatë të fëmijëve të tyre, prindërve që nuk i kanë parë e dëgjuar me vite ata.

E di, duket bizare sot, por ka qenë maksimumi atëbotë.

“Hajde &£”$£…”

Prandaj, ky mllef është i trashëguar, nga ajo mërzi, nga ai mall, dhe një gol i një shqiptari kundër fajtorëve të gjithë asaj dekade, e të cilët akoma na janë ngjitur si rriqra edhe 30 vite pas, na sjellë njëfarë shfryrje!

Është një sharje, si ato që ia lëshoi Graniti, por që shprehen ashtu si u shpreh Xherdani pas golit. Kombinim i përkryer.

Në net si kjo e të premtes, futbolli mbetet në plan të dytë.

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: