Categories
Milan

Katërshe për fillim

Duket se gjithçka po funksionon në mënyrë të përkryer për Milanin. Së pari transferimi i Ibrës, dhe tani fitorja e thellë ndaj Leçes.

Së paku pas xhiros së parë do të jemi në krye (s’besoj se Interi mund të fitoj më thellë, Bolonja ndoshta!).  Pra, s’do të na mbetet merak që nuk ishim asnjëherë në pozitën e parë. Megjithatë shpresoj që s’do të na mbetet merak që nuk ishim asnjëherë më poshtë se pozita e parë në fund të kampionatit. Por, kjo do të jetë vështirë. Dua të them, ata që mposhtëm ishin Leçe! Një skuadër e sapo inkuadruar në Serie A, me pjesën më të madhe të futbollistëve të lindur pas viteve të 90’ta. Ata nuk ishin në gjendje të sulmonin dhe të na shkaktonin probleme për 70 minutat e parë. Vetëm atëherë pas disa rasteve të Shevanton arritën të bënin disa gjëra jo të rrezikshme.

Ajo që ishte e përkryer ishte loja e Ronaldinjos. Ndoshta ka shtuar pak kilogramë, ose ndoshta është disa vjet më i vjetër, por është akoma ai Ronaldinjo që ka kokën plotë ide. Kreativiteti i tij në lojën e mbrëmshme ishte i mahnitshëm. Ka krijuar disa pozicione që nuk duhej të shkonin huq. Bashkëpunimi i tij me Paton do të jetë fatal për skuadra tjera. Pato akoma vazhdoi të ishte pak egoist. Kjo është diçka për tu brengosur. Gjithnjë kam besuar se duke u rritur, duke shtuar përvojë Pato do të largoj egoizmin, por akoma nuk ka shenja për këtë. Pjesa tjetër e skuadrës ishte në nivel të duhur. Gatuzo dukej i motivuar dhe ka bërë disa veprime të bukura, sidomos një harkim për Inzagin.

Abiati nuk ka pasur shumë punë sonte, dhe nuk është vërejtur aq shumë gjatë ndeshjes. Në mbrojte, Silva dhe Nesta kanë qenë dyshe perfekte në mbrojte. Nuk kanë pasur shumë punë, por në fund Leçe ka pasur nja dy goditje pas harkimeve. Bonera ka luajtur lojën e tij në anën e djathtë. Si një lojtar defanziv që është në natyrën e tij ka qenë i shkëlqyeshëm. Në sulm nuk pritet shumë nga ai, nuk është fusha e tij më e fortë.

Në anën e majtë Antonini ka pasur disa depërtime të mira. Por, mangësia kryesore tek ai mbetet mosloja me këmbën e majtë. Paramendojeni, ai duhet të depërtojë, pastaj  të ndalet, kthehet dhe të harkojë me këmbën e majtë. Ose që është zgjedhje me e mirë të kthej topin në vijë të zonës për ndonjë goditje nga Ronaldinjo, Sedorf, apo Pirlo.

Pirlo ka bërë disa veprime me zanatin e vjetër. Akoma ka shpresa për këtë lojtar, mirëpo kur luajmë me dy krahë, Ronaldinjo dhe Pato, aktiviteti i Pirlos bie, pasi ai është adaptuar në sistemin e vjetër të Milanit, ku artileria kryesore dhe mjaft efikase them ka qenë sulmi me anë të krahëve të mbrojtjes.

Ambrosini ka qenë në nivel, ashtu si edhe Sedorf i cili sonte ka qenë në qejf të mbaj top, të vonoj lojën. Kjo nuk shkonte sonte. Ka pasur një goditje e cila ka mundur ti thyente dorën atij futbollisti të Leçes. Po, ka qenë penallti pasi krahu ka qenë i shkëputur nga trupi, por, mos t’ia zëmë për të madhe referit, pasi goditja ka qenë e shpejtë, edhe ashtu epërsia ishte e lartë.

Marko Borriello, është i fortë si Ibra, por nuk ka shkathtësinë dhe teknikën e tij. Megjithatë është i nevojshëm si zëvëndësues i tij. Ka pasur një depërtim që vlen të përmendet dhe dy pozita jashtë loje. Ma shumë se Inzagi! Pipo ka mundur të shënoj dy herë. Edhe një herë u vërejt se topi e don këtë njeri. Shënoi një gol me plotë fat, por të vlefshëm. Sezoni i tij i fundit në Milan, shpresoj, filloi dhe së paku do të përfundoj me gol.

Boateng ka filluar të adoptohet në lojën tonë, dhe do të jetë mjaft i dobishëm për skuadrën. Ndërsa Rino më ka befasuar për të mirë. Për ata pak minuta ka vrapuar, ka pasur kontakte me top, e edhe depërtime e harkime. Fakte për të çuditur!

Është mirë që kemi lojtarë të mirë në pankinë. Do të jetë një sezonë e gjatë dhe na nevojiten shumë lojtarë cilësor.

Tani dy javë pushim para udhëtimit në Çezena. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Së paku pas tri xhirove të kemi 9 pikë, pastaj shohim e bëjmë.

Luan Morina

Kolumnist për ACMilan-Shqip