Jemi shumë të vogël që të kujtojmë hapin e parë, kur kemi filluar të ecim.

Tashti ia kujtojnë fëmijëve, jo vetëm hapin e parë, dhëmbin e parë, fjalën e parë, por edhe 15 javët, 13 mujorët e ‘festa’ të ngjashme. Për neve ka qenë më ndryshe, kohë lufte e paqartësie. Kohë okupimi e hiperinflacioni. Dhe krejt këto në një mënyrë a tjetrën kanë ndikuar në zhvillimin e fëmijëve të okupimit. Dhuna fizike nuk është e vetmja dhunë që kanë pësuar banorët e këtij vendi. Megjithatë, për dhunën (indirekte) psikike nuk flitet. Ngjashëm si për problemet psikike, të cilat padyshim se janë mbledhur në ato 10 vite të okupimit, në periudha të ndryshme, varësisht se sa kemi kujtuar.

Hapin e parë nuk e mbajmë në mend, por këpucët e para po.

Zakonisht bartnim patika me ngjitëse që është shenjë identifikuese fëmijërie. Patikat me lidhëse janë ato që na bënin të rritur, që na fusnin në grackë e të rriturit. Këpucët nuk janë për fëmijë. Pos nëse është ndonjë Manuel nga ‘Modern Family’. Pos, për Bajrame e festa tjera ku duhej të vishemi bukur.

Dhe këpucët e para, si çdo e fëmijëve, është lumturi e veçantë. Kanë qenë bojëkafe, jo me ‘maje’ pasi të kujtonin Çarli Çaplinin edhe këpucët e tij dy numra më të mëdhenj. Kanë qenë të rrafshëta me secilin qosh të prekur nga gishtat. Ka qenë një hare aq e madhe, sa që kur dilnim tek fqinjët, i merrja me vete, e i veshja, diçka sikur bëjnë gratë! Këpucët zgjatën deri kur nisja të godisja topin, duke humbur ngjyen në maje, para se të nisin të gërvishteshin, si zakonisht tek gishti i madh në këmbën e djathtë! Topi!

Pesëmbëdhjetë vite pas këtyre këpucëve, do të blija një palë patika në vlerë pesë eurosh. Edhe atë të portokallta. Kanë qenë aq të lehta, aq komode, si në punë, si në lojë futbolli, si në ngjarje zyrtare, sa më kanë lehtësuar më shumë se qethja totale e flokëve edhe ashtu të rralluara në një periudhë goxha të rëndë. Sigurisht, patikat nuk zgjatën aq shumë. Patën një amortizim prej 1e për vit, që dmth pas pesë viteve u desh të shkonin në bërllog. Por, për ato pesë vite pos një rehatie që kanë sjellë, me vete kanë pruar edhe pyetje dhe komentime nga të tjerët. Interesante, palidhje, marre, wow, jonormal, pse, kanë qenë disa nga pyetjet.

E kur jemi përgjigjur tek kjo e fundit pyetje me një shpjegim të thellë të asaj se çfarë po ndodhte në mendje, shumica kanë thënë ‘ec, djalë i ri, s’ki kurgjo’. Jo krejt kanë qenë ashtu, e askush nuk i ka mbathur ato patika që ta shihte se ‘si është të ecësh në to’. Sigurisht, edhe po të donin s’do të ju lejoja pasi nuk huazojmë veshmbathje. As këpucët e para që i vishja nëpër shtëpitë e lagjes.

Njëzetepesë vite pas atyre këpucëve, po shkruaj për periudhën e patikave të portokallta.

Thonë që ‘duhet të ecësh në këpucët e dikujt që ta kuptosh botën e tij/saj.’ Ne, zakonisht këpucët i shohim, i komentojmë, por rrallëherë provojmë të ecim. Qofshin të mira qofshin të parehatshme, i kthejmë në fund. Sidomos këto të parehatshmet.

Do të ishte mirë të provonin një herë të merrnin edhe kokën e mendjen e neve që kemi punë me stres kronik, depresion, anksiozitet, sulme paniku, e dukuritë e tjera mendore. Po të ishin aq të lehta sikur këpucët, do t’i hiqnim e do t’i blinim një palë tjera. Por, për dallim prej këpucëve, pa marrë parasysh çmimin e ngjyrën e formën, këto dukuri mendore janë diçka që nuk hiqen lehtë.

Edhe secili prej nesh mundohet, sepse është ferr të jetosh në një gjendje të tillë. Po të mundnim, do të iknim. Do të shqelmonim që të gjitha. Nuk është lehtë, e aspak më lehtë nuk bëhet me një mospërfillje apo qortim nga ana e tjerëve. Vetëm më keq. Krejt çfarë kërkojmë ne, është durimi dhe mirëkuptimi.

Nëse nuk mundeni të na lehtësoni diçka, së paku mos na e rëndoni më shumë.