Pas shumë vitesh, Izraeli – shteti i fundit që ka njohur Kosovën – ka një kryeministër të ri që nuk quhet Benjamin Netanyahu.

Karizma e tij, afërsia e tij me Donald Trump, dhe ndërlidhja e Izraelit me Kosovën gjatë këtyre 12 muajve të fundit më kishte shtuar kureshtjen që mos të mendoja dy herë në ‘marrjen’ e këtij dokumentari, i cili pothuajse është i pamundur të gjendet në internet, dhe jo për ndonjë arsye anonime.

Dokumentari, i realizuar në vitin 2018, vjen nga një regjisor anonim i cili ka vetëm një dokumentar të gjatë të realizuar më parë, dhe atë në vitin 2013 rreth ditëve të fundit të ambasadës izraelite në Teheran.

‘King Bibi’ mban vetëm filmime nga arkiva, derisa sjellë një kolazh linear të jetës politike të Benjamin Netanyahut, që para fillimit të karrierës së tij si politikan, deri në shndërrimin e një mbreti që i vesh vetit rolin e një profeti të popullit hebre.

Pasi që nuk kam parë filma të tjerë me këtë temë, dhe nuk besoj që do të shohë, nuk mund ta krahasojë me një dokumentar pro-Netanyahu, ndonëse mbetem i bindur që dokumentari sjellë një pasqyrë neutrale mbi karakterin kryesor.

Dokumentari në vete përmban edhe shumë detaje të ngjarjeve, dhe rrugët e ndërtimit të tyre, siç ishte ngritja e Netanyahut brenda partisë, shfrytëzimi i tragjedisë personale për të marrë pushtetin, nxitja e masave me qasje radikale, e të cilat pos që bënë mbret Bibin, shpinë edhe tek vrasja e kundërshtarëve të tij, liderëve shtetëror izraelit.

Mund të them që është një histori e frikshme, sidomos për dikë që nuk ka qenë pak a shumë i njohur me situatën politike në Lindjen e Afërt në të ‘90tat e këndej – nga ku mbaj mend unë – por, personalisht, nuk ka qenë asgjë që nuk kam pritur nga figura e King Bibit.

Është një dokumentar që duhet të shikohet nga kushdo që merret me politikë, por edhe nga ne, qytetarët e thjeshtë. Nota personale: 5/5