Categories
Filma

Klaus (2019) – Recensim

Nuk di a mund të ju kujtohet ose të ju kenë treguar që në dimrat e mesit të ‘90tave, binte borë nganjëherë edhe mbi një metër duke mbyllur edhe dyert e shtëpive e shkolla pushonte me javë? Nëse nuk ju kanë treguar, atëherë edhe nuk ju kanë gënjyer, sepse këso dimrash ka pasur vetëm në filma, shumicën të vizatuar!

Festat, të gjitha, na dërgojnë në kohën e mirë në fëmijëri, ku gjithçka ka qenë më e lehtë, më e thjeshtë, më rehatshëm. Për të rijetuar ato çaste fëmijërie, gjithmonë shkojmë tek filmat e zakonet që i kemi pasur atëherë. Fëmijët e këtyre viteve do të kthehen tek ‘Klaus’ ashtu siç kthehemi ne me ‘Home Alone’ për shembull!

Dhe ata që ju kanë gënjyer që babadimri nuk ekziston, tashti duhet të përpijnë rrenat e tyre! Po, pra, sepse ‘Klaus’ sjell historinë, të vërtetë sigurisht, të babadimrit!

Filmi nis me Jesper, një student dembel në akademinë e postierëve, i cili merret nga akademia për t’u dërguar në një ishull të ngrirë lart në Arktik. Aty ai gjen një zyrë postare e cila është në një kotec pulash, me një fshat të ndarë në dy anë armike të cilat nisin luftën e përhershme sa herë që bie zilja e fshatit. Në fshat ai gjen edhe një fatkeqe sikur ai, Alva e cila ka ardhur për të dhënë mësim, por ia ka nisur peshkimit sepse askujt nuk i duhet mësimi. Larg mbi kotec-zyrën etij, jeton edhe një njeri i quajtur Klaus! (Po, pra, babadimri!!!)

Mirëpo, Klaus është vetëm një zdrukthëtar, i vetmuar, çuditërisht i dhënë pas ndërtimit të foleve kuti të zogjve! Me të takuar Jesterin, nis një aventurë e këndshme, e ëmbël, e ngrohtë dimri, që na sjellë historinë e babadimrit!

Aspekti teknik është i përkryer. Ka një ngjyrë të ngrohtë e të mprehtë dimri, një fotografia me skena të shkëlqyeshme. Rrëfimi është i jashtëzakonshëm, ndoshta si asnjë film dimri që keni mundur të shihni më parë. Zërat vijnë nga Jason Schwartzman, Rashida Jones, Will Saso, Joan Cusack, dhe babadimri në jetë reale – JK Simmons! Këta i japin jetë karaktereve të cilat kanë kapacitet të shndërrojnë këtë film në një klasik të vitit të ri! Së paku për mua! Nota personale: 5/5