Categories
Sport

Kombëtarja e mirë, por tifozët…

Kombëtarja e Shqipërisë kurrë nuk ka qenë më në formë se tashti. As kur ka pasur në grupe Gjermaninë e Anglinë të cilat nuk mund të fitonin edhe aq lehtë. Edhe pse dy ndeshje miqësore, rezultatet kundër Francës dhe Italisë janë për mësysh. Mbi të gjitha këta djem po duken më të pjekur, më të përkushtuar, edhe shumë, shumë më të mirë se sa bashkëlojtarët e Skelës i cili luante në kombëtare edhe kur nuk kishte ekip.

Nuk ka tri vite që kombëtare si Luksemburgu e Bjellorusia na mposhtnin në kualifikime, derisa miqësoret zhvilloheshin me kombëtare si Gjeorgjia, Azerbajxhani, e Maqedonia. Tani po mposhtim kombëtare si Portugalia, e cila vërtetë nuk është në ditët më të mira, dhe po u kundërvihemi me sukses kombëtareve si Franca e Italia. Sigurisht që gjithnjë ka hapësirë për përmirësime, për lojëra edhe më të mira, por duke pasur parasysh historinë e kombëtares tonë, mund të them lehtë se është periudha më e mirë gjatë gjithë këtyre dekadave.

Por, siç thotë populli ‘tifozat do ta marrin në qafë këtë kombëtare’. Së fundmi në Itali, nuk mbeti kush pa u futur në fushë. Edhe secili dukej të kishte nga një flamur me vete. Obsesioni ndaj flamurit nuk e kuptoj, pasi jemi populli i vetëm, që edhe kur futet në fushë, merr flamurin me vete. Nuk jemi populli i vetëm ballkanas, por, mendoj se është koha që të shqelmojmë traditat huligane ballkanike dhe të bëjmë një hap para, kah Perëndimi, kah kultura e tyre sportive.

Nëse e duam flamurin aq shumë, le të bëjmë ose më mirë le ti lejojmë djemtë e kombëtares që ta ngritin flamurin me krenari në fushë të gjelbër, le të ndihmojmë sportistët tjerë që të arrijnë suksese që të ngritët flamuri në podiume, jo ta fusim atë me zor në fushë.

Flamuri dhe idetë mitologjike të individëve na kushtuan me së paku një pikë të sigurt në Beograd. Por, të bëhemi të sinqertë, kur Bendtneri e mposht një kombëtare, pse mos ta mposhtim ne. Ne nuk do të kthehemi më në Beograd për të shijuar ‘kënaqësinë’ e mungesës së publikut. Atë nder do ta kenë Armenia e Portugalia, dy konkurrente tjera në grup. Nga Beogradi humbës jemi ne, dhe jo krejt faji është i UEFA-s dhe Platinit. Ne kemi u kemi sjell perimet, ata e kanë përgatitur gjellën. Lehtë e thjeshtë.

Është koha të heqim dorë nga qëllime të cekëta, synime utopike, dhe historinë e traditat ballkanike. Serbët e kanë djegur flamurin shqiptar, tani ne po e rikthejmë atë. Ç’dreqin është kjo? Age of Empires?! Thonë është mirë mos të shtyhesh me budallain, pasi do të biesh në nivelin e tij dhe do të humbasësh.

Ta lëmë këtë lojë të marrë dhe të provojmë të zhvillohemi si popull sportiv. Të arrijmë suksese, të bëjmë të tjerët ta ngritin flamurin tonë, jo të futemi si të ikur nga psikiatria nëpër terrene. Për Zotin edhe Lihtenshtajni, Sudani, e Xhibuti kanë medalje olimpike.