Categories
Kosova

Kosova e Marsit

Gjëja e parë e panevojshme, por edhe e dyshimtë, ka qenë ftesa e katër portierëve!

Pastaj kjo vazhdoi me skandalin e përjashtimit të Muriç, veprim i cili ashiqare ndikoi në atmosferën dhe rezultatet vijuese.

Gjëja e dytë e panevojshme ishte miqësorja me Lituaninë.

Luajtëm me formacion të parë për më shumë se një orë.

Në rregull, kishim nevojë të luanim me formacion të kompletuar për shkak të vitit të kaluar kur për shkak të pandemisë e lëndimeve asnjëherë nuk ishim të kompletuar.

Challandes duhet të përcaktohet – të zhvillojmë miqësoret me formacione të përziera, ose të mos zhvillojmë hiç.

Nuk jemi ekip që mundemi t’i përballojmë tri ndeshje për një javë. Asnjëri nga futbollistët tanë nuk ka zhvilluar tri ndeshje brenda javës, pos disa nga ata që janë prezentë në ligën turke!

Nuk kanë përgatitje fizike për të zhvilluar tri ndeshje, e as edhe dy ndeshje kur dimë që shumica janë rezervistë në ekipet e tyre. Nuk kemi futbollistë që munden të përballojnë dy udhëtime e tri ndeshje për një javë!

Euforia me Lituaninë fshehu problemin që patëm në dy ndeshjet vijuese – nuk jemi ekip!

Në të tri ndeshjet, treshja pas Muriqit nuk u lodh të kthehej në mbrojtje.

Për Celinën, Berishën, Rashicën – Lituania, Suedia, e Spanja ishin një kategori! E di që Berisha nuk luajti sonte, edhe që Zeneli ishte pjesë e kësaj vije në të tri ndeshje.

Të tre këta janë tepër statik në fushë, dhe nuk angazhohen në momentin e duhur në anën e duhur. Nuk bashkërendohen në mbrojtje, nuk bashkërendohen në sulm, dhe rrjedhimisht nuk kemi gola ekipor – shumica vijnë nga kundërsulmet me dy-tre lojtarë të angazhuar, me ndonjë përjashtim si ndaj Lituanisë!

Para Lituanisë, ishin 18 muaj që nuk kishim shënuar dy gola në një ndeshje!

Mungesa e Rrahmanit bëri që të kemi shumë eksperimente në mbrojtje, të cilat shfaqën një vijë të ç’ orientuar, me mungesë komunikimi, dhe mbi të gjitha, me një portier të pasigurt i cili i krijon mundësinë kundërshtarëve nga asgjë.

Kur ke një rrezik të këtillë që të kanoset gjatë tërë ndeshjes, një portier që asiston kundërshtarët të shënojnë edhe nga pozitat më të pavolitshme për të shënuar, atëherë nuk mundesh të zhvillosh lojën tënde. Kaq e thjeshtë është.

Ujkani ngjan në ‘partitë e pasluftës’ të cilat insistonin se duhej të qeverisnin me Kosovën, ani pse shkatërronin vendin. Arsyeja ishte e thjeshtë – kemi liftue!

Ngjashëm edhe Ujkani mund të insistojë – jam nga të parët që kam lënë Shqipërinë e kam ardhur për Kosovën, e të ngjashme!

Por, me këtë formë, Ujkani jo për Shqipërinë, por as për San Marinon – kombëtarja numër 210, e fundit në ranglistën e FIFA-s – s’do të mund të startonte!

Minuta 3 ndaj Spanjës – Aliti ndërmjet opsionit t’i kthejë topin Ujkanit, a ta gjuaj në aut, zgjedh këtë të dytën! Kjo tregon mjaft për besimin që kanë në të ekipi.

Në rregull, pati dy intervenime të shkëlqyeshme, por ne jemi zero pikë, pikërisht për fajin e Ujkanit dhe mbrojtjes. Unë garantoj që do të bëjë gabime edhe më trashanike kundër Gjeorgjisë e Greqisë në shtator! Karriera e Ujkanit ka përfunduar kur është zhvendosur si portier i tretë tek Çaykur Rizespor!

Si portier i tretë tek Torino, që lufton për mbijetesë, Ujkani mund të përdorë minutat tek Kosova për ‘sfilatë’ për ekipet tjera në karrierën e tij profesioniste. E njëjta vlen edhe për disa lojtarë tjerë që nuk janë të rregullt me ekipet e tyre. Megjithëkëtë, Muriqi ka qenë shembullor me angazhimin e tij këto ditë, e as Rrahmani nuk na ka lënë keq në nëntor.

Muriqi ka qenë më i miri i këtij marsi.

Gjeti golin kundër Lituanisë, u angazhua në maksimum, sa në mbrojtje sa në sulm, si ndaj Suedisë, e sidomos ndaj Spanjës! Si lojtari më ofensiv, Muriqin gjendej edhe më në mbrojtje se treshja e famshme, muri që lëvizë në një zonë prej 40-50 metrave, dhe vetëm shikojnë topin si kërcen nga mbrojtja kundërshtare tek ajo e jonja – sikur të luajnë ‘mes dy zjarresh’!

Muriqi ishte fenomenal, por nuk mjaftonte!

Minuta e 67të, Spanja udhëhiqte 2-0, ndaj Kosovës që është 110+ vende më poshtë në renditjen e FIFA-s, dhe mbrohej me 7 lojtarë karshi 3 lojtarëve që sulmonin për neve!

Një respekt të tillë në fushë, ne nuk ia tregojmë askujt! As Lituanisë, as Spanjës!

Disa minuta më vonë, ne mbetëm të mbroheshim 2 kundër 4 vetave, tek ai intervenimi i Ujkanit!

Ky është ekip, Spanja, që lëvizën si ekip, si një motor unik si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Nuk ka çarje, nuk ka ndarje ndërmjet reparteve.

Ne lëre që kemi ndarje ndërmjet reparteve, por edhe vet në reparte ku 2-3 veta nuk dinë të komunikojnë!

Nuk ishim ne të mirë, por Spanja e Suedia ishin shumë të dobët këtë mars!

Kemi humbur kokën, orientimin, emocionet, dashurinë për të funksionuar si ekip. Dhe kjo e ka vetëm një drejtim, e ai është teposhtë në humnerë!

Një pjesë e madhe e fajit shkon mbi supet e Challandes, dhe zotërinjve që e komandojnë brenda FFK-së.

Muslija, Sylejmani, por mbi të gjitha Bytyqi do të duhej të ishin pjesë e këtij ekipi këtë javë! Pse nuk janë, Challandes e di më mirë!

Pse nuk janë të pranishëm gjithë ata emra që kanë shprehur gatishmërinë të jenë pjesë e Kosovës, por në fund shkojnë me ekipet tjera, më së miri e dinë nga FFK-ja!

Pse në Spanjë kishte më shumë politikanë se sa gazetarë, e dimë të gjithë, sepse kreu i FFK-së e ka vendin në burg!

Në një organizatë kriminale, nuk mund të presësh diçka të frytshme!

E udhës do të ishte bojkotimi i lojtarëve, por më e udhës është një suspendim nga UEFA e FIFA!

Dhe nëse kjo është kostoja që duhet ta paguajmë që të pastrojmë FFK-në, le ta paguajmë.

Ajo çfarë duhet është të rritemi!

Nuk kemi më arsyetime që ende jemi në zhvillim kur kemi kryer 32 ndeshje zyrtare. Ata që para 5 viteve ishin U21, sot janë +25 vjeç – në majën e karrierës.

Nuk ka më eksperimentime, duhet të kemi një bërthamë të ekipit, të lojtarëve që angazhohen. Nuk duhet t’i garantohet vendi askujt, e që fatkeqësisht duket të mbretërojë e kundërta në ekipin tonë!

Është koha të zgjedhim kualitetin mbi gjithçka!

Sepse mbi gjithçka e gjithkënd, vjen Kosova!

p.s. më e keqja është që po ‘kallemi’ pas shfaqjeve teatrale të Shalës… të gjitha gjërat ishin sqaruar nga FIFA e RFEF me kohë… këto tonat janë vetëm për konsum të brendshëm, për turbofolk patriotizëm