Respekti për San Marinon, por sidomos për Maltën, më është shtuar gjatë kësaj jave.
Të parët na respektonin duke provuar vetëm me anë të kundërsulmeve të tentojnë diçka kundër neve, derisa Malta për një pjesë të lojës lirshëm mbante topin, dhe vërtet do të ndjehesha keq po të mos pranohej ai gol që shënuan.
U lakmova të dyjave.
Të dyja kishin diçka që nuk kishim ne – shpirt, motiv, dhe respekt për kundërshtarin.
Dy fytyrat
Kur shkruaj për Kosovën, kam një konflikt ndjenjash gjithmonë – të lëshoj anën emocionale të më kaplojë dhe të çojë në dreq të mallkuar të gjithë, apo të bind veten që është veç pjesë e procesit.
Jo kësaj radhe!
Sepse ky nuk është proces.
Ky është akt qyqar i të gjithëve, që nga personi që ka okupuar pozitën e të parit të federatës deri tek lojtarët në fushë.
Kosova – vend i qyqeve
Përzgjedhja për të luajtur kundër San Marinos dhe Maltës është për konsum vendor dhe siguri të udhëheqësve të federatës, ekipit, dhe vet ekipit.
Fitoret ndaj San Marinos dhe Maltës do të duhej të na jepnin një mirazh që gjithçka është në rregull me neve.
Fatmirësisht, ato na treguan sa në krizë jemi.
Malta, po të mos gabonin, do të na mposhte, edhe atë me diferencë po të mos ishin disa pritje të Bekajt. San Marino bëri atë që e bëjnë një herë në tri-katër vjet, shënojnë gol.
San Marino luajnë futboll amator, për qejf, për terminë, me mëhalla, Benedettini vs Golinucci & Battistini! Dhe ne vendosim të testojmë forcat me ta!
Qyqarë!
Trajneri
Nuk e kuptoj Challandes, jo për përzgjedhjet që bën me ekip, por pse qëndron ende tek Kosova!
Edhe po të paguhesha sa paguhej ai, unë s’do të pranoja ta udhëhiqja Kosovën, ani pse shumica e kosovarëve do të merrnin edhe falas për pozitën e trajnerit, sidomos komentuesit e Fejsbukut!
Challandes nuk është shkarkuar sepse i duhet zaptuesit të federatës që ta shkarkojë kur të rrezikohet pozita e tij, eventualisht! Nuk është që i intereson Kosova, apo suksesi i saj! Tipit, i intereson vetvetja, dhe nëse dini të mblidhni 2+2, e vëreni pse është aty ku është!
Challandes e ka humbur ekipin! Nuk ka pushtet mbi lojtarët, dhe nuk do të duhej të ishte faji i tij!
Challandes e ka humbur edhe pjesën teknike, me menaxherin e ekipit, a çfarëdo pune që bënë, i dikton konferencat e i përzgjedh televizionet për intervista ‘ekskluzive’ me njerëz që s’kanë lidhje me futboll!
Challandes është karrem, një fantazmë, që po shkatërron vetveten! Dhe ky shkatërrim vetëm sa do të vazhdojë! Sa më parë që shkon, aq më mirë për neve, aq më keq për Federatën!
Zeneli
Arbër Zeneli është pasuri kombëtare!
Po të mos ishte ai, ne s’do të kishim shijuar shumicën e sukseseve që kemi pasur në Ligën e Kombeve, dhe vetëm për një arsye! Është lojtari i vetëm që nuk dorëzohet, pa marrë parasysh kundërshtarin a rezultatin!
Krahasojeni me Rashicën!
Miloti nuk ka interesim as në ndeshje të mëdha as të vogla. Ka një indiferencë irituese, sikur tek ai, sikur tek Zhegrova, e së fundmi edhe sikur tek Kastrati! Të humbësh raste dhe të dorëzohesh ashtu, të mos vraposh, është ofendim për fanellën.
Dhe këtë fanellë po e ofendojnë i madh e i vogël!
Disa kërkojnë minuta, e çohen peshë pse s’marrin ata, disa ‘revoltohen’, disa pensionohen, e disa refuzojnë të pensionohen.
Lojtarët nuk po shfaqin interesim të luajnë, dhe ndoshta do të duhej të kryente punë një ekip psikologësh e motivuesit. Por, prapë dyshoj që ka të bëjë më shumë me karakterin.
Prurjet
Challandes provoi Fazlijin e Rrahmanin në qendër, dhe pranimi i golave do të mund të fajësohet në të dy. Aliti në krahun e majtë nuk po kryen punë. Krahun e djathtë të mbrojtjes, me Bajselamin që i shtohet Vojvodës e Hadërgjonajt, e kemi të sigurt për disa vite.
Ishte Blendi Idrizi ai që impresionoi më së shumti gjatë këtij afati, derisa Lirimi lëshoi një rast të mirë për të dëshmuar aftësitë e tija. Duhet të punoj në përfundimin e aksioneve, ose të gjejë mënyrën që të kontribuojë nga larg, pa dalë para golit. Ndoshta të kthehet në mbrojtje, ose të merret me atletikë!
E kuptoj idenë që Challandes, ndoshta, ka dashur të përgatitet për mungesat eventuale në vjeshtë duke angazhuar Fazlijin me Rrahmanin në qendër, Alitin në krahë, e Rashicën si 9sh fals. Tekefundit ndeshjet miqësore janë për këso gjëra.
Por, minutat për tjerët nuk ishin të mjaftueshëm. E disa nga ta, edhe për ato minutat që kishin, sikur refuzuan të shfaqnin ‘aftësitë’ e tyre!
Teposhtë
Për interesa të ngushta të krerëve të federatës, Kosova ka humbur ngritjen që ka pasur viteve të fundit.
Për interes të një njeriu, Kosova vendosi të mat forcat me ekipin e fundit në listën e FIFA-s, dhe të kthej veten aty ku nuk e ka vendin.
Dhe do të vazhdojë kështu, sepse edhe ‘kundërshtarët’ kryesorë, tani janë rehatuar me kupa e me Evropë, ku janë paratë!
Kosova po shkon drejt një humnere, dhe gjasat për shpëtim veçse po pakohen!