Karlo Ançeloti është shumë e mundur të lëshojë Çelzin gjatë kësaj jave. Nuk jam i sigurt që do të pres ndeshjen me Njukastëll të dielën, por, nëse nuk ndodh një ndryshim ekstrem, atëherë Çelzi do të kërkoj ndonjë trajner të ri gjatë muajit dhjetor. E gjithë kjo nuk vjen vetëm si arsye e dy ndeshjeve të humbura radhazi, gjë që nuk ka ndodhur në epokën e Abramoviç, por, arsyet janë jashtë fushës së gjelbërt. Para disa ditësh, Çelzi vendosi mos t’ia vazhdoj kontratën ndihmësit të Ançelotit, Rej Uillkinsit, i cili më pas dha dorëheqje dhe u largua nga klubi. Uillkins ishte njeriu më i besuar i Ançellotit dhe mbi të gjitha kishte një përparësi pasi që fliste italisht. Në vend të tij u vendos Majkëll Emenalo, pas një vendimi kontraverz. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer Karllo Ançellotit dhe siç po vërehet kjo gjë po ndikon në rezultate të zymta të skuadrës. Problemet kanë filluar qysh në verë kur bordi i skuadrës nuk plotësoi dëshirat e Ançellotit për të bërë oferta për lojtarë si Torres, De Rosi, Shvajnshtajger apo Oëzil. Gjatë verës nga skuadra e bluve janë larguar Ballak (të cilin Ançelloti ka dëshiruar ta mbante), Xho Koll, Deko, Karvaljo, dhe Belleti, të cilët së bashku merrni afër 22 milionë euro pagë vjetore. Në vend të tyre kanë arritur Zhirkov, Starrixh, Tërnbull, Benajun dhe Ramires, të cilët së bashku kanë kushtuar më pas se 50 milionë funta për dy vite sa është Ançelloti trajner. Në kohën e Murinjos, për dy vite Çelzi kishte harxhuar 230 milionë funta për transfere. Tani blejnë lojtarë si Starrixh për 5 milionë euro pasi dëmshpëblimi caktohet nga gjykata, dhe transfere të lira si Tërnbull. Kjo ka ndikuar në frustrimin e Ançelotit i cili nuk po ka duart e lira. Ai është ankuar që vetëm është trajner dhe asgjë më shumë. Ai ka përmendur Sër Aleks Fergusonin i cili është menaxher i skuadrës dhe ka në dorë shumë gjëra që nga politikat financiare, transferet e klubit, deri tek 11-shja startuese. Kjo nuk ndodh me Ançelotin, i cili duart e lidhura i ka pasur edhe në Milan, nën udhëheqjen e Berluskonit. Pikërisht mosdëgjimi i urdhërave nga lartë (mos inkuadrimi i Ronaldinjos) ishin disa nga arsyet që larguan atë nga San Siro së bashku me Kakan. Ançeloti më me dëshirë do të qëndronte i papunë se të ishte kukull e Roman Abramoviç. Një gjë duhet ta dijë Abramoviç që me harxhimet nën Ançelloti skuadra e tij ka arritur shumë më tepër se nën Murinjon që kishte 10-fish më shumë harxhime.

Pas një jave kemi superderbin spanjoll ndërmjet Barselonës dhe Realit të Madridit. Të dyja skuadrat këtë javë shënuan fitore të thella. Barsa shënoi 8, Reali 5. Të dyja skuadrat kanë shënuar nga 33 gola dhe nga 10 fitore deri tani. Të dyja skuadrat kanë golashënuesit më të mirë që kanë shënuar më shumë gola se pothuajse gjysma e skuadrave tjera, Ronaldo 14 gola, Mesi 13 gola. Të dyja këto skuadra… bllah, bllah, bllah. Liga spanjolle ka 20 skuadra, jo 2. Të tjerat si qëllim kanë të arrijnë dy vende në Ligën e Kampionve, dy vende në Europa Ligë, të shpresoj mos t’u bije shorti në kupën e Spanjës ndaj Realit apo Barsës, dhe të i ikin pozitave të fundit, largimit nga liga. Është mëkat të shohësh se sa poshtë kanë rë cilësia e ligës spanjolle, e me këtë edhe interesimi dhe baraspesha e skuadrave. Në krahasim me ligat tjera, ajo spanjolle nuk është as afër baraspeshës së skuadrave. Nga 10 ndeshje që zhvillohen në javë, askush nuk shikon më shumë se 2 ndeshje, tifozët e Realit dhe Barsës. Si një futbolldashës edhe nëse filloj të shikoj këto dy skuadra, vështirë e kam të kaloj minutën e 60, pasi që gjithçka më pas kalon në kotësi. Nuk ka interesim, nuk ka zjarr në futbollin spanjoll. Ke dy ndeshje që i pret tërë vitin. Kanë kaluar kohët kur kampion bëhej Valensia, Atletiko e Madridit, e edhe Sosiedadi konkurronte me Realin gjatë gjithë vitit. Ka humbur bukuria e futbollit spanjoll, por pas vitit 2012 shpresoj se gjërat do të bien në binarë, kur do të ndalohen transferet e “çmendura.”

Dhe në fund dua të ndalem tek Interi. Që nga ikja e Murinjos janë pritur kohë të errëta për Interin, janë bërë shumë gabime nga ana e Moratit. I pari është vendosja eBenitezit në krye të skuadrës. Murinjo dhe Benitez janë dy trajnerë krejt të ndryshëm. Murinjo ka disiplinë të rreptë, përderisa Benitez duket të jetë shumë më liberal. Të pasojë Murinjo një skuadër pas Benitezit do të ishte rëndë, por të pasojë Benitez një skuadër nga Murinjo ky është mision vetvrasës. Futbollistët e Interit janë mësuar të kenë disiplinë të rreptë, janë mësuar të mos folin, dhe të dëgjojnë buçimën e zërit të Murinjos. Ajo i ka sjellur tre tituj sezonin e kaluar kur nuk kishin të ndalur. Me Benitez është më ndryshe. Gabimi tjetër i Moratit është mos shitja e lojtarëve kyç. Nuk mund të mbash futbollist me zor në skuadër. Jo vetëm Ballotelli, por është dashur të largohet edhe Maikon, Milito, Stankoviç, Kambiaso, Zaneti, Materaci, Kordoba, është dashur të largohen. Asnjëri pos Maikon nuk bën pare në treg, por, Maikon bën shumë pare. Me parat nga Maikon dhe Ballotelli ka mundur të sillnin një qendërmbrojtës të ri dhe të mirë në skuadër, dy mesfushorë kualitativ, dhe një sulmues të dytë pas Etos. Maskerano, Kujt, Boketi kanë qenë lojtarët që do të ishin në një pozitë shumë më mirë me Interin në këtë kohë. Por, Morati gaboi dhe po shkon rrugëve të konkurrentëve të qytetit, të cilët kanë pak a shumë të njëjtën bazë lojtarësh që kur fituan Ligën e Kampionve me 2007, dhe për këtë arsye nuk kanë fituar që 3 vite asnjë titull. Morati duhet të kuptojë që strategjia e Berluskonit dhe Milanit nuk është për t’u marrë lakmi.

Pas atyre tri temave dua të përqëndrohem pak në ligat kombëtare. Në Angli kriza e Çelzit ka shtuar shpresat për skuadrat tjera. Totenhem arriti një rikthim senzacional që inatosi Vengerin tejmase. Siti iu kthye fitoreve, ndërsa Bollton ka filluar të përzihet në krye të renditjes, që do t’i ndihmojë ta siguroj ekzistencën qysh në shkurt. Fundi ka filluar të ndahet, ku Uolvs me katër humbje radhazi, dhe Uest Hem, kanë ngecuar 5 pikë larg skuadave tjera.

Në Itali Milani po vazhdon me fitoret pa Ronalldinjon. Këtë javë u mposht Fiorentina 1:0, ndërsa Roma mposhti Udineze. Interi humbi në Kievo, Lacio barazoi në Parma, Juve mposhti Gjenovan, ndërsa Napoli është ngjitur lart në renditje pas fitores së shkëlqyeshme ndaj Bolonjas.

Më në fund Mainc iu kthye fitoreve, pas tri humbje. Ata mposhtën në fund Mënshengladbahun, ashtu si mposhti Borusia e Dortmundit Frajburgun. Hofenhajm fitoi thellë si mysafirë, ndërsa Leverkuzen dhe Bajern luajtën baras. Verder humb thellë, 0:4, ndaj Shallkes për të cilën tre herë shënoi Raul. Dortmund duket i qetë në krye pasi ka +9 nga Leverkusen, +14 ndaj Bajern, +19 ndaj Volfsburg, dhe +21 ndaj Shallkes.

Në Spanjë Sevija u mposht nga Majorka, Espanjoll mposhti Herkulesin, ndërsa Vijareal dhe Valensia luajtën baras. Atletiko fitoi thellë si mysafire e Sosiedad.

Në Francë, Lion i është afruar kreut, ashtu si Marsej dhe Bordo. Në Holandë, derbi Ajaks-PSV mbaroi pa gola, derisa AZ u rikthye për të mposhtur Tventen. Në Turqi, Bursa fitoi pas tri ndeshjeve, Trabzon, Beshiktash, Kajseri dhe Gallatasaraj luajtën baras. Kjo e fundit është praktikisht është përshëndetur nga titulli pasi ka 13 pikë disavantazh nga Trabzon që udhëheq me 2 pikë epërsi ndaj Bursës dhe Kajseri.

Këtë javë zhvillohet turneu final i vitit në tenis për meshkuj në Londerë. Federer dhe Marrej e kanë nisur me fitore, ndërsa Nadal dhe Xhokoviç dalin në terren sot. Në mesjavë kemi ndeshjet e Ligës së Kampionve ndër të cilat edhe Roma – Bajern, Ajaks – Real, Totenhem – Verder, Shallke – Lion, dhe Renxhers – Mançester. Europa Liga pushon këtë javë.

Luan Morina

Kolumna – E hënë paradite – 22 nëntor 2010