Categories
Filma

Kramer vs Kramer (1979) – Recensim

Martesa si një entitet ligjor është lehtë e definuar – dy individë bëhen një.

Kur fërgoni vezë me ajvar, i përzini e i përzini mirë deri të bëhet një masë. Nëse nuk i përzini mirë, mund të shijoni copat e ajvarit ose pikat e vezëve në gojë.

Njëjtë edhe tek bashkimi shpirtëror i dy individëve në martesë – nëse nuk ka një fërkim të matur e planifikuar mes tyre, ajo është e destinuar për të dështuar. Në vend që të bëhen një, individët ruajnë formën e tyre, ose edhe më keq, njëri nga ta mbetet në formën paraprake derisa tjetri shkrihet.

Njëjtë është edhe me Kramerët – Tedi është një burrë i suksesshëm në jetën profesionale, derisa lë në plan të dytë Xhoanën e dedikuar për jetën bashkëshortore. Një ditë, e lodhur nga kjo gjendje e mundimshme për të, Xhoana vendosë ta lë Tedin në mënyrën më të mirë të mundshme. Lë gjithçka që kanë të përbashkët, i lë orarin e marrjes së rrobave, i lë pasuritë e përbashkëta, dhe lë djalin e tyre – Billin 5 vjeçar.

Tetëmbëdhjetë muajt e ardhshëm janë botë e pashkelur më parë për Tedin, i cili duhet të njoftohet me jetën familjare, mbi të gjitha me ‘profesionin’ e prindit. Lidhja e tyre e porsazbuluar vjen në pjesën më të madhe të ekranit me Dustin Hoffman dhe Justin Henry të zhdukur në karakteret e tyre gjersa shfaqin një lidhje reale të një babai dhe fëmije, i cili edhe e mëson babanë të jetë prind. Kjo lidhje vazhdon të funksionojë deri në kthimin e Meryl Streep, Xhoanës e cila kërkon kujdestarinë e vetme mbi djalin. Ndonëse me pak hapësirë para kamerave, Meryl Streep në rininë e saj e ka një magji që e pushton skenën edhe për ato pak çaste që i jepen.

Robert Benton bën regjinë dhe skenarin e bazuar në novelën me të njëjtin emër, për mrekulli duke sjellë detajet e një familje nëpër një periudhë shkatërruese. Është një shembull si ‘punët e ndara’, individualiteti në një ekip shkatërron ekipin, familjen. Dhe krejt kjo bazuar në ndarjen që na e shtron shoqëria e cila na dikton si duhet të ndërtohet një familje, si të ndahen punët, si të jetojmë më të lumtur. Ndërkohë, lumturia gjithmonë buron nga brenda nesh.

‘Kramer vs. Kramer’ është ndër filmat familjar më të rëndësishëm në histori të kinematografisë. Shkëlqen në çdo aspekt, me një punë të mrekullueshme skenike të Dustin Hoffman e Meryl Streep në veçanti, pa lënë anash kastën sekondare, me dialogë goxha emocional në çaste. Nota personale: 5/5