Categories
Sport

Kronikë Amerikane nr. 276 – Fundi i Manning-Brady?

Para se të vazhdojmë me parashikimin e ndeshjeve divizionale të përfundimtarëve të hedhim një sy mbrapa

Pse humbën?

Bengals – Papjekuria dhe mungesat në sulm ishin fajtor kryesor për mungesën e fitores në përfundimtare për Cincinnatin tashmë dy dekada e gjysmë. Mund të fajësojmë trajnerin që kurrë nuk ka fituar në përfundimtare, mund të fajësojmë Daltonin, mund të fajësojmë fatin. Por, thjesht Colts u treguan më të mirë, edhe pse jo dominues sikur në pjesën e rregullt të sezonit. Dalton u tregua më i pjekur se sa dy herët e kaluara në përfundimtare, por përsëri është i mbipaguar.

Steelers – Mungesa e Bell ishte fajtori kryesor për humbjen e Steelers. Por, kanë pasur shumë alternativa tjera për të fituar, ama zor të mposhtet ajo mbrojtje e Ravens. Antonio Brown ishte për mrekulli i mbuluar, derisa linja ofanzive nuk mund ti përballonte asaj defanzive të Ravens.

Cardinals – Mungesa e Kuarterbekut ishte faji kryesor. Por, as Carson Palmer nuk më mbush sy për këta Cardinals që kanë një mbrojtje sekondare të shkëlqyeshme. Bruce Arians po bën mrekulli me këtë ekip tashmë dy vjet, dhe me një draft të mirë ndoshta mund të rikthehen në përfundimtare vitin e ardhshëm.

Lions – Referët! Thjesht referët ishin fajtorët kryesor pse Lions janë jashtë sot, por edhe Lions kanë mundur të bëjnë më shumë. I kanë pasur të gjitha kushtet, por thjesht nuk ia dolën. Pa Suh mund ta kenë më të vështirë, por jo të pamundur të kthehen në përfundimtare vitin e ardhshëm, sidomos kur kemi parasysh Bears dhe Vikings dhe dobësitë e tyre.

Pse do të fitojnë?

Patriots – Ravens

Ka më shumë se tre muaj që mediat nuk kanë shqyrtuar mundësinë e Patriots për humbje. Por, kujtimet për Ravens dhe mbrojtjen e tyre nuk janë të venitura. Të gjithë e dimë cilësinë e linjës defanzive, por sekondarja dhe aftësia e tyre për të mbuluar Brownin javën e kaluar të tmerrojnë. Patriots do të duhej të përqendrohen në Tom Bradyn dhe aftësitë e tij për të bërë mrekullia. Do të preferoja Ravens para Patriots, gjithnjë me shpresën që Colts do të mposhtin Broncos. Një gjë e tillë do të ishte dhe fundi për epokën e Bradyt dhe Manningut. Sidomos ky i fundit, lojtari im i preferuar i të gjitha kohërave duket se ka kaluar moti kohë zenitin dhe është në rënie të lirë.

Broncos – Colts

Dështimet kundër mbrojtjes së Ravens dhe në Superbowlin e kaluar më bëjnë të shqyrtoj në aftësitë aktuale të Manning. Mbrojtja e Broncos gjatë tërë sezonit ka qenë nën pritjet, përkundër nënshkrimeve në Free Agency. Julius Thomas nuk është në formën e vitit të kaluar, nuk kanë lojë depërtuese. Në anën tjetër Colts kanë qenë katastrofik në pjesën e dytë të sezonit. Mbrojtja është më e mirë se vitin e kaluar, por nuk janë akoma të pjekur për të arritur më shumë. Luck mund të bart ekipin si asnjë tjetër kuarterbek në ligë për momentin pos Aaron Rodgers. Por, nganjëherë duhet më shumë se Luck. Wayne është plakur, TY Hilton disi e lëshon topin gjithnjë në përfundimtare, derisa depërtimi është joekzistent. Do të doja të fitonin Colts, por megjithatë besoj që do të shohim edhe një finale të fundit ndërmjet Brady dhe Manning në AFC. Edhe pse ky duel më ka filluar të bëhet bajat. Pra, zgjedhja përfundimtare (me dëshirën për të qenë i gabuar) janë Patriots dhe Broncos.

Packers – Cowboys

Green Bay pa Aaron Rodgers do ta ketë të vështirë. Edhe pse është pothuajse e sigurt paraqitja e tij, nëse nuk është në formën më të mirë, do të ketë nevojë për ndihmën e mbrojtjes. Kushtet për sulm janë të gjitha, Cobb, Nelson, dhe Eddie Lacy. Ky i fundit duhet të jap performancën e karrierës për ti mundësuar Packers fitoren ndaj Cowboys.

E Dallas ishte afër përsëritjes së historisë në përfundimtare. Ngjashëm si Packers, edhe Cowboys kanë të gjitha parakushtet për fitore, plus referat.

Do të jetë interesante të shohim se kush do të humb serinë perfekte të fitoreve si vendas – Packers, dhe të fitoreve si mysafirë – Cowboys. Unë shkoj me Packers.

Seahawks – Panthers

Seahawks fitojnë, thjeshtë dhe pastër. Cam Newton nuk është gati, dhe kurrë nuk do të jetë të mposht një ekip si Seattle në një stadium si të tyrin. Seahawks në finale të NFC.

Pak filozofi…

Nëse fitojnë këto që parashikova unë, do të kemi finale të shkëlqyeshme, nëse jo, atëherë në finale kam Ravens – Cowboys. Si? Nëse dikush do të mposhtet këtë javë nga ato që i zgjodha si fitues (Patriots, Broncos, Packers, Seahawks), atëherë gjasat më të mëdha janë që Ravens dhe Cowboys do të dalin fitues në duelet e tyre. Ravens kundër Broncos janë më të mirë, falë mbrojtjes, derisa Cowboys nuk i kanë frikën Seahawks. Kështu që Superbowl del të jetë Ravens – Cowboys, një ndeshje për të cilën s’do të prishja gjumin 😀