Categories
lomsh

Kur futbolli bëhet serioz! – E premte pasdite! – 17 shtator 2010

Këtë javë filluan edhe dy garat evropiane në futboll. Nuk pati ndonjë befasi të madhe në ndeshet e para si në Ligën e Kampionve ashtu edhe në Ligën e Evropës. Kjo dëshmon se skuadrat tani kanë filluar të stabilizohen dhe ti përshtaten skemave të tyre. Është java e tretë në disa kampionate kombëtare që kanë filluar vonë si dhe kanë kaluar dy javë që nga rifillimi i garave pas ndeshjeve kombëtare. Deri më tani befasitë kanë qenë më të mëdha, mirëpo që nga kjo javë gjërat do të fillojnë të bien në vend. Shembulli më i mirë për garat e gjertanishme është Bundesliga dhe Liga 1. Në Bundesligë në fund të renditjes kemi tri skuadra që janë konkurrente për titull, Volfsburgm Shallke, dhe Shtutgart ndërsa në pjesën e dytë të renditjes gjenden dhe Verder e Bajern. Ndërësa në krye Hofenhajm e Mainc. Për më tepër tri skuadrat e fundit nuk kanë fituar asnjë pikë deri më tani. Dhe në Francë gjërat janë pak a shumë të ngjashme. Kampionët e 10 viteve të fundit gjenden në pjesën e poshtme të renditjes. Marsej, Bordo, dhe Lion kanë fituar vetëm nga një herë në pesë ndeshje.

Këto renditje në fund të sezonit do të jenë krejt ndryshe. Kjo është më se e sigurt. Jo vetëm në këto dy kampionate por edhe në kampionatet tjera kemi skuadra që po vuajnë. Liverpul e Totenhem në Angli, dhe Roma e Juventus në Itali. Javën e kaluar patëm disa rezultate shumë befasuese. Kuptohet se kohë pas kohe do të ndodhin befasi, sepse skuadrat nuk mund të jenë në të njëjtin nivel për 10 muaj të tërër, por do të jenë dukshëm më të vogla. Këto tri javët e ardhshme deri në ndeshjet tjera të kombëtareve pak a shumë do të vëjnë në pah se cilat ekipe kanë qenë të përgjumura e cila vërtetë janë akoma duke fjetur. Mund të priten shkarkimet e para të trajnerëve e edhe ndryshime tjera.

Këtë javë do të jenë disa ndeshje intersante në kampionatet më të mira kombëtare në Evropë. Në Angli, derbi do të luhet të dielën kur do të takohen Mançester Junajted dhe Liverpul. Totenhem, Everton dhe Çelzi pritet të fitojnë lehtë ndërsa Arsenal mund të ketë probleme në Sanderlend.

Në Francë kryendeshja zhvillohet të dielën në mbrëmje. Ndeshen Bordo dhe Lion. PSZH mund të dëshmojë me fitore se këtë vit ka aspirata të larta. Ndeshet me një skuadër jo të lehtë, Ren. Lil – Okserr dhe Monako – Tuluz janë ndeshje shumë të barazuara, ndërsa Arle mund befasisht të fitojë pikët e para ndaj Marsej.

Në Bundesliga të shtunën në mbrëmje nuk do të ketë ndeshje . Të dielen zhvillohet derbi Shalke – Dortmund dhe ai lokal St. Pauli – Hamburg. Bajern pret Këlni që gjithmonë është i papërshtatshëm për bavarezët.

Në Itali Milan pret Katanian, Palermo Interin, ndërsa Parma Gjenovan. Roma do të provojë të marrë pikët e para ndaj Bolonjas, e cila javën e kaluar ishte mysafire në Olimpiko ndaj Lacios, ku mëzi humbi. Sampdoria pritet të mposht Napoli që sivjet mund të mos jetë në formën e duhur. Kievo ka mundësi për të vazhduar kryesimin nëse arrin të mposht Breshan këtë javë.

Në Spanjë të dielën zhvillohet një superderbi, Atletiko Madrid – Barselona. Zakonisht katalunasit këto viteve të fundit nuk kanë pasur probleme në Visente Kallderon, por ndoshta këtë vit Atletiko mund të fitoj. Edhe pse në ndeshjet e fundit në Evropë, Barsa ka treguar një formë shumë më të mirë. Reali ndeshet me baskët e Sosiedadit, që nuk do ta ketë lehtë, ndërsa Sevila udhëton në Malaga.

Nga ligat tjera veçojmë derbin portugez Benfika – Sporting të dielën dhe atë turk Fenerbahçe – Beshiktash po ashtu të dielën.

Luan Morina

Për Shqipmedia