Hakmarrja…
Të humbësh në finale gjithnjë dhemb. Hakmarrja ofron njëfarë kënaqësie, por jo aq të plotë. Nuk të kënaq sikur të fitoje. Pos nëse hakmerresh si Holanda mbrëmë. Dhe kishte shumë hake për tu marr. Më i fundit simulimi i Costas.
Më e madhe se hakmarrja e Holandës mbrëmë mund të jetë vetëm turpi spanjoll. Dhe ishin të turpëruar. Por, mbidoza e dëshirës holandeze për tu hakmarrë u kushtoi me së paku katër gola të humbur, duke nisur nga rasti i Sneijder.
Tani, kombëtarja që nuk kishte humbur 16 ndeshjet e fundit zyrtare, që kishte fituar gjithçka që mund të fitohet ka kaluar zenitin dhe është në rënie. Dhe nga 23 veta në kombëtare, 10 janë që kanë fituar të tre titujt e fundit.
Por, assesi e mbaruar. Mund të kthehen për rrethin e dytë, e futbollit nuk i dihet.
E majta…
Mospërgatitja teknike dhe formacioni me një mesfushë të zgjeruar në 4-3-3 para një 4-2-3-1 që po përdoret shumë më tepër i kushtoi me humbje Kamerunit. Përvojës nuk po ia sheh hajrin asnjë nga kombëtaret deri më tani. Eto’o ishte shumë egoist dhe i vetmuar, kryesisht për shkak të gjerësisë së formacionit. Assou-Ekoto ishte i vetmi rrezik për Meksikën dje. Ai u shua në pjesën e dytë me angazhimin e Nounkeus në krahun e majtë. Ngjashëm ra edhe rreziku për Meksikën. Një harkim i tij në fund ishte ndër të vetmet rrezikime të portës së Ochoas.
Derisa Kameruni kishte një krah të majtë të shkëlqyeshëm, Meksika ishte e dobët në shfrytëzimin e hapësirës nga Layun. Ishin me fat në fitoren e tyre, derisa përkundër golit fatlum të Peraltas, unë akoma do të preferoja Chicariton.
Sidoqoftë ishte një Meksikë larg pritjeve të mija, dhe larg talentit të shfaqur në Londra 2012.
E të majtën si askush tjetër në këtë Kupë të Botës e ka Holanda. Daley Blind… akoma nuk gjej komente për të…
Holanda…
Dy asistime nga i biri i legjendarit Danny Blind që ka fituar gjithçka me Holandën, Daley. Njëri mund të mbetet si ndër asistimet më të mira në histori të këtij kampionati. E kur shohim vijën fundore të Holandës, kemi vetëm Ron Vlaar që ka luajtur në Euro 2012. Të tjerët janë debutues në gara kaq të mëdha. Debutues që nuk frikësohen nga këto gara. De Vrij dhe Martins Idi, të dy 22 vjeç ishin shumë më stabil se sa qendëmbrojtja kundërshtare. Edhe pse vija e fundit në pjesën e parë pati disa lëshime me Vlaar që luante edhe më i tërhequr në pozitën e liberos klasike, spanjollët nuk arritën ti shfrytëzojnë sa për gatishmërinë e Cillessen (që ishte zgjedhje e papritur për mua në fillim, para Krul, por që shkëlqeu), sa për gabimet e tyre.
Mesfusha ishte më me përvojë me Sneijderin e de Jongun, para sulmit të mrekullueshëm, të etur për hakmarrje me Van Persie e Robben.
Një Holandë e mahnitshme, një Holandë që është vetëm në fillim të ngjitjes kah maja, me këtë mbrojtje jashtëzakonisht të talentuar, pa llogaritur talentet e mesfushës që mbrëmë nuk u aktivizuan.
Është një Holandë për tu frikësuar, por nuk di sa mund të jenë të pjekur për titull.
Manchesteri…
Askush më shumë se tifozët e Manchesteri pas holandezëve nuk mund të ishte më i gëzuar mbrëmë. Të shohësh një Van Persie që mahnit nën Van Gaalin, një dyshe që vitin e ardhshëm do të jetë në ‘Old Trafford’ dhe një Sneijder me klauzolë prej vetëm 15 milionë eurove për të ikur drejt Ishullit, anglezët mëzi presin nisjen e kampionatit. Do të jetë një Premier League edhe më e mirë, edhe më interesante stinorin e ardhshëm. Por, njëherë kemi Kupën e Botës…
Nishimura (2)…
Sipas kroatëve Nishimura nuk dinte, apo nuk donte të fliste anglisht me ta vetëm e vetëm që ti inatoste e të mos e bezdisnin më me kritikat e tyre. Pra, pos një referi amator, kemi edhe një njeri me karakter të brishtë.
Por, gabimet e tij vazhduan të ndodhin edhe dje. Rizzoli dha një penallti të paqenë për spanjollët, derisa anësori i parë u mohoi së paku dy gola meksikanëve.
Sidoqoftë, dhënia e penalltisë është shumë më pak e rëndë se sa ofsajdi. Ofsajdin e kemi të vështirë ta dallojmë edhe ne pas dy tri reprizave, edhe pse referët paguhen për këtë dhe duhet të jenë sa më të saktë në atë që bëjnë.
Nuk mendoj që kishte faull në Casillar tek goli i tretë. Topi ishte më lartë se që mund të prekte ai, e edhe Van Persie ishte nisur në top pa kthyer kokën kah portjeri. Por, ka hapësirë për të menduar edhe ndryshe. Është situatë më e paqartë se sa penalltia e paqenë.
Shpresoj të mos flasim më për referët. Por, gabimet në dy ditët e para do të krijojnë hapësirë për të keqpërdorur presionin mbi ta, ngjashëm siç bëri Costa mbrëmë.
Sonte…
Kolumbia është një ndër kombëtaret më favorite për çerekfinale. Kanë një skuadër të kompletuar dhe nuk besoj që do ta kenë vështirë ndaj veteranëve grek, edhe pse Santos njeh mirë futbollin helen. Japonia ka skuadër të mirë, teknik të mirë në stol, dhe Bregu i Fildishtë zakonisht dështon në gara të mëdha. Deri sot veteranët në sulm kanë dështuar, por ndoshta Drogba do të jetë më i mirë se Eto’o e Olic.
Uruguaji është skuadra favorite për mua që të fitoj titullin. E di është përzgjedhje e ‘trashë’ por nuk e kam ndërmend të luaj nga kjo, përkundër mundësisë të bien qysh në fazën e grupeve. Italia dhe Anglia do të jetë një përballje interesante, me ‘tre luanët’ që kanë njërën prej kombëtareve më të mira në dekadën e fundit. E italianët duhet të jenë më të mirë se që ishin me Luksemburgun në ndeshjet përgatitore.
18:00 Kolumbia – Greqia
21:00 Uruguai – Kosta Rika
00:00 Anglia – Italia
03:00 Bregu i Fildishtë – Japonia