Categories
lomsh

Kur i ke shqiptarët – Ditarët e Brazilit

Magjupi

Akoma më bëjnë të vjell nga turpi kur më kujtohen brohoritjet e tifozëve kuqezi në ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë. Ofendimet e pa rezervë për shqiptarët që kishin vendosur të luanin për Zvicrën ishin turpi i këtij populli. Turpi që nuk na mungon dhe na godet nga të gjitha anët. E ata ‘tifozët’ në mes shumë gjërave të pista brohorisnin ‘Valon magjupi’. Të bën të vjellësh nga turpi…

Ky ‘magjupi’ dje u vetflijua për ti sjell tre pikë Zvicrës. Derisa tjetri shënoi golin e barazimit. Ishin shqiptarët që i sollën tre pikë Zvicrës. Shqiptarët që na bën të ndjehemi krenar të gjithëve. Këta pak emra po varen lartë në anën e gjërave pozitive për popullin tonë në peshoren që në anën e kundërt e kemi ngulfatur e pothuajse këputur me pisllëqet për të cilat na përmendi mediat në Perëndim. Dhe patetikët i shanin këta heronj.

Lum Zvicra që ka edhe këta shqiptar që nuk janë nga ata që vjedhin, bëjnë krime, e edhe që nuk bëjnë gjë pos që këmbëkryq presin ‘ndihma për të mbijetuar’.

Por, ata ‘tifozë’ janë të paktë. Ne që u ndjemë krenar me djemtë tanë jemi më shumë, dhe më të mirë.

Franca

Me të njëjtat probleme shqiptare përballet edhe Franca. Megjithatë ata nuk patën askënd për ti shpëtuar. Karem Benzema kreu punën ndaj Hondurasit që së bashku me Ekuadorin duket se do të kthehen herët në shtëpi. Franca tregoi lojë të mirë, por jo bindëse, jo lojë prej kampioni. Ngjashëm si Zvicra, ishin të mirë në kundërsulme, dhe konkretizuan më shumë se ‘helvetikët’. I ndihmoi edhe largimi i Palacios, që nuk ishte për karton të kuq, e për penallti mund të arsyetohet deri në një shkallë. Grupi E duket të jetë përcaktuar për kombëtaret që shkojnë në eliminime.

I padukshmi

Nuk është hera e parë që Messi zhduket në fushë. Zakonisht ndodh kur nuk ke një mesfushë për të ushqyer me topa për të shënuar dhe marr lavdin. Sabella kishte dërguar në fushë një formacion shumë defanziv. Dhe me lojën që treguan kundër Bosnjës nuk kanë pse të dalin në mejdan favoritëve për titull. Nuk konkretizuan shumë raste, nuk ishin konsistent në mbrojtje dhe fituan vetëm falë papërgatitjes psikike të kundërshtarëve.

Pos që është i padukshëm, siç ndodhi edhe në të gjitha ndeshjet e mëdha këtë sezon në La Liga, Messi është edhe i mbivlerësuar. Lojtari i ndeshjes i takoi sepse nuk kishte askush tjetër që të bënte më shumë. Mbrojta argjentinase nuk pati gisht në dështimet e boshnjakëve. Ndërkohë mediat si zakonisht fillojnë ti thurin vargjet heroike për një njeri të humbur në fushë. Gol ka shënuar edhe Balotelli, edhe Marchisio, edhe Mehmedi. Asgjë nuk tregoi Messi më shumë se këta e të tjerët. Pos që ishte më i ‘humbur’.

Nuk është hera e parë që zhduket kështu me Argjentinën. Do të shkëlqej kundër Nigerisë e Iranit, sigurisht. Janë Nigeria e Irani.

Përvoja…

Bosnjës i mungoi përvoja. Nisën ndeshjen me një mbidozë vetëbesimi. Naiviteti i tyre në mbrojtje mund ti kishte kushtuar edhe me më shumë gola. Por, disi shpëtuan. Nuk shfrytëzuan kundërsulmet sa duhet. Ishin të ndrojtur. Ishin të rezervuar, të mbyllur individualisht. Ndoshta mirë ishte që u takuan me Argjentinën për të larguar tremën, e tashti me Iranin e Nigerinë mund të tregojnë aftësitë e tyre reale. Humbën për shkak të dy gabimeve, por bën edhe më shumë gabime. Janë ekip shumë më i talentuar, meritojnë më shumë, dhe shpresoj që të dalin nga ‘zona’ sa më parë dhe të tregojnë të gjithëve se çfarë mund të bëjnë.

Sonte…

Pas Messit, tani gjysma tjetër do të shikoj Cristiano Ronaldon. Ky është larg asaj të arrij Ronaldon e vërtetë. Të dy kanë dështuar në gara kombëtare, por ndoshta këtë vit mund të bëjnë diçka më shumë. Gjermania me Low është e mrekullueshme deri në gjysmëfinale. Aty dështojnë. Irani dhe Nigeria do të jetë ndeshje e barabartë që ndoshta mund ta bëj interesante lojën. Në letër nuk ja vlen të shikohet, por kjo është Kupa e Botës dhe gjithçka vlen të shikohet. SHBA me Klinsmann kundër afrikanëve të vetëm që mund të arrijnë fazën e dytë. Të dyja shpresojnë se mund të kalojnë Portugalinë.

 

18:00     Gjermania – Portugalia

21:00     Irani – Nigeria

00:00     Gana – SHBA

Luan Morina

Kolumnist për Shqipmedia