Categories
lomsh

Kur ke punë me gjermanët – Ditarët e Brazilit

Mylleri

Vetëm holandezët që mund ta bëjnë më keq se gjermanët. Pas këtyre që pamë në rrethin e parë do të ishte finalja më e merituar nëse shohim Holandën dhe Gjermaninë aty. Por, të dyja, sidomos gjermanët e kanë ‘zakon’ të dështojnë pak para finales.

Gjermanët treguan forcën e tyre qysh në ndeshjen e parë kundër rivalit më të madh në grup. Ishte formacion i çuditshëm i Loew. Si gjithnjë ai nuk përton të fus edhe rezervistët e Bajern në formacionin e parë. Megjithatë kjo funksionoi.

Kundërsulme të shkëlqyeshme, dhe një Myller në formë. Tani, dy ndeshjet e mbetura mund të merren më lehtë nga Gjermanët të cilët lirisht mund të nisin të mendojnë për fazën e dytë.

Kjo nuk do të ndodh me portugezët.

Pepe

Pepe bën çfarë Pepe është. Përjashtimi ishte me vend. Myller ishte goditur, por nuk provokoi goditjen e dytë me kokë të Pepes. As nuk u shtri në bar sikur ndonjë përfaqësues i kombëtareve me gjuhë iberike. Përjashtimi ishte me vend, dhe në një mënyrë përjashtoi Portugalinë nga Kupa e Botës. Lëndimet e Almeidas dhe Coentraos, mungesa e Pepes, një mbrojtje veterane, lojtarë arrogant si Meireles, nuk i japin shumë shpresë portugezëve. Është mëkat që Cristiano është pjesë e kësaj kombëtareje. E vet ai mund të inatoset në gjyqtarin, e që ishte në nivel dje në të gjitha pozitat kryesore, pos ndoshta tek penalltia e pareferuar për portugezët. Më mirë është që Cristiano të inatoset në bashkëlojtarët e tij.

Zero

Loja pa gola është e kotë, bajate. Ngjashëm ishte edhe mbrëmë ndërmjet Iranit dhe Nigerisë. Në fakt të dy skuadrat provuan të shënojnë në disa raste, dhe sidomos iranianët nga të cilët prisja më pak (tekefundit nuk janë skuadër me një histori të pasur si Nigeria) treguan përkushtim për të sulmuar dhe shënuar. Por, në fund ashtu siç prisnim të gjithë doli të jetë një ndeshje zhgënjyese deri në një masë.

Shumë më interesante ishte ndeshja ndërmjet SHBA-së dhe Ganës. Ndeshja pati një fillim dhe një mbarim interesant me gjithçka ndërmjet në kufijtë e ‘interesantes’. SHBA-të shumë shpejt mund të bëhen një kombëtare e respektuar në futbollin botëror. MLS dhe Kupa e Botës më 2022 mund të nxisin më shpejt këtë zhvillim.

Afrikanët

Fakti më i mirë këtë Kupë të Botës sa u përket kombëtareve afrikane është prania e përzgjedhësve të tyre. Afrika njihet për një vend ku përzgjedhësit zakonisht vijnë ose nga Franca ose nga Gjermania. Por, Stephen Keshi dhe James Appiah janë në krye të Nigerisë dhe Ganës, dhe suksesi i tyre eventual do të bënte të krijohej një bindje që edhe afrikanët dinë të menaxhojnë, jo vetëm të menaxhohen. E mundësitë e këtyre kombëtareve për të kaluar në rrethin e dytë janë shumë të ulëta pas ndeshjes së parë, përkundër që Gana shfaqi një lojë shumë më të mirë, më guximtare. Por, as Kameruni me gjerman, e Algjeria me boshnjak nuk kanë shumë mundësi për të kaluar grupin, pos Bregut të Sabriut.

Sonte

Brazili dhe Meksiko dalin në ndeshjen e dytë. Do të jetë një revansh i finales së Londra 2012. Shumica nuk e kujtojnë, por personalisht futbolli olimpik shfaq shumë talente, dhe një pjesë e madhe e të dyja kombëtareve do të jenë në fushë sonte.

Mëzi pres të shoh Belgjikën. Por, pritjet e mëdha që kam tek ta shpresoj të shpërblehen më mirë se që ndodhi me Uruguain.

Interesante mbetet të shohim Rusinë e Capellos kundër Koresë.

18:00     Belgjika – Algjeria

21:00     Brazili – Meksiko

00:00     Rusia – Koreja Jugore

Luan Morina

Kolumnist për Shqipmedia