Nënçmimi…
Kurrë mos nënçmo kundërshtarin – është një nga thëniet më me mend që i duhet njerëzimit. Uruguai bëri pikërisht këtë dhe u dogj, u dogj keq, dhe ndoshta edhe u eliminua. Ndeshjen nisën mirë, shënuan nga një penallti që ishte më e sigurta deri më tani, por me hapësirë për tu kontestuar. Pushuan Cavanin, dhe ishin tepër cinik dhe naiv kundrejt kundërshtarit. Shihet qartazi tek goli i parë si ana e majtë thjeshtë ‘nuk lodhet’ për të shkuar e ndaluar harkimin, harkim që u kurorëzua me gol. Edhe goli i tretë erdhi nga e majta injorante.
Kosta Rika në letër kishte vetëm sulmuesit, njëri në fund të karrierës, tjetri vetëm në fillim të saj; dhe portjerin. Fansat e futbollit spanjoll e njohin shumë mirë Kelyon Navasin. Ai nuk ishte aspak më poshtë formës së tij që i solli epitetin e portjerit më të mirë të ligës sezonin e kaluar. Joel Campbell ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm me Olympiacos dhe po vazhdon të shkëlqej edhe këtë kampionat. Do të jetë një ‘lopë me para’ në termet ekonomik për grekët këtë verë. E Bryan Ruiz ishte rreziku në hije. Akoma Kosta Rika mund të ketë mbaruar Kupën me kaq.
Anglia…
‘Treluanët’ luajtën me formacionin 6-0-4. Thjesht ishin pa mesfushë në lojë duke lënë katër sulmues të silleshin rreth e rrotull pa ide, dhe gjashtë lojtarë defanziv me ‘kilometra’ larg repartit të sulmit. Ishte kjo nyja që mungonte në formacionin e Hodgsonit që kishte vendosur fizikën para teknikës futbollistike. Henderson nuk do të duhej të startonte, ngjashëm si dy nga Rooney, Sturridge, e Wellbeck. Gjithashtu mbrojtësit e krahut ishin ‘mbrojtës’ derisa nuk kishte lartësi në ndërprerje me Cahill dhe Jagielka. Hodgson gaboi shumë gjëra, por, është vetëm edhe një në radhën e shumë selektorëve të dobët anglez, që nga Glenn Hoddle.
Pas çdo goli të pranuar, anglezët mbylleshin nga frika mos po hapeshin, si në pjesën e parë, si në të dytën sulmuan derisa pranuan. Sulmet u rikthyen me futjen e lojtarëve që do të duhej të nisnin lojën, Barkley dhe Wilshere, që duhej të startonin para Hendesonit, Wellbeckut dhe Rooney.
E Rooney ishte Balotelli anglez. Derisa italiani shënoi, Rooney ishte hija duke mos qenë as 9sh klasik, as gjysmësulmues, as asgjë… si krejt sulmi anglez.
Italia bëri krejt ato që duhej të bënte Anglia. Pati mbrojtje të mirë, shtatlarte, me krahët, sidomos Darmianin që pati më shumë raste për të shënuar se sa tre nga ofanzivët anglez. De Rossin shkatërrues, Verratin gjysmë fizik/gjysmë teknik dhe Pirlon si fantazist. E përkrah Balotellit ishin gjithashtu Marchisio dhe Candreva, më shumë mesfushor se sulmues anësor.
Nuk ishin skuadër që dominoi, por ishin shumë më të mirë dhe më të mençur se anglezët.
Milani…
Keisuke Honda dhe Mario Balotelli shënuan dy gola të rëndësishëm për kombëtaret e tyre. Të dy u hapën qysh në ndeshjet e para dhe shfaqën lojëra shumë më të mira se sa Milani. Edhe Darmian është produkt i Milanit, të cilin ngjashëm si Pierre Emerick Aubameyangun e kanë shitur tepër herët edhe tepër lirë për të zëvendësuar me pensionist dhe lojtar që vijnë me kosto zero.
Më kujtohet ballina e ‘The Economist’ me Berlusconin në kolltuk dhe me buzëqeshjen e tij të zakonshme, me mbishkrimin ‘Njeriu që e dh$^* një shtet’. Jo vetëm shtetin, hiq më mirë nuk kaloi as skuadra e tij. Sigurisht Galliani po mendon se sa mund të është rritur vlera e lojtarëve të tyre gjatë këtij rrethi të parë.
Fati…
Më në fund fati ishte në anën e Bregut të Fildishtë. Por, pos fatit ndikim të madh pati edhe mençuria e Sabriut. Ai la Drogban rezervë para Bonyt. Derisa ai nuk gjente hapësirë, inkuadrimi i Drogbas shkoqiti vëmendjen nga Bony, dhe Serger Aurier me dy harkime kthehu fatin në anën e ‘elefantëve’ para teknikës japoneze.
Do të jetë garë e rëndësishme për Bregun me lojtarë si Aurier, Diomande e Bony që do të përfitojnë nga përvoja dhe mundësia e fundit për Drogban që shkëlqeu për atë pak kohë (shumë më mirë se Eto’o që nisi lojën) dhe Touret për të treguar aftësitë e tyre të mahnitshme.
Sonte…
Sonte kemi ndeshje e grupit E. Ekuadori është shumë skuadër e papërshtatshme, por besoj në aftësitë e Hitzfield dhe zviceranëve të cilët sonte vendosin për rrethin e dytë. Franca nuk besoj ta ketë të vështirë kundër Hondurasit. Dhe nga ne që përkrahim skuadrat fqinje si Kroacia e Bosnja, sonte kemi përballë Argjentinën e Messit. Do të jetë interesante të shohim si do të vendoset skuadra e Sushiçit kundër argjentinasve.
18:00 Zvicra – Ekuadori
21:00 Franca – Hondurasi
00:00 Argjentina – Bosnja e Hercegovina