Categories
lomsh

Kur mungon Nishimura – Ditarët e Brazilit

Çakëri

Vështirë ishte të gjenim dikë më patetik se Fred. Por, ja që Marcelo doli në skenë mbrëmë kundër Meksikës. Megjithatë vonimi i tij për tu rrëzuar vetëm pasi Martinez kishte ngritur duart ishte një simulim tjetër i pështirë që Çakëri do të duhej ta sanksiononte me të verdhë.

Po të ishte Nishimura do të ishte edhe penallti, pse jo?! Problemi është që në ndeshjet e deritanishme ka pasur më shumë se tre raste simulimi, dhe asnjëri nuk është sanksionuar. Por, referimi është përmirësuar dukshëm, kryesisht për shkak të angazhimit të referëve evropian. Çakëri njihet për disa gafe që ka bërë gjatë karrierës në Champions, mirëpo refer perfekt si Collina vështirë është të gjendet sot.

Zero… Zero…

Brazili dhe Meksiko luajtën baras, pa gola. Ishte ndeshja e dytë. Por, kjo ishte shumë më interesante. Doli në pah Brazili i vërtetë pa ‘ndihmën’ e referëve. Përballë pati një rival më të përgatitur se Kroacia. Por mbi të gjitha, përballë pati Ochoan. Gjatë kësaj serie të kolumneve kam përmendur se portjerët e kombëtareve latino-amerikane po shkëlqejnë. Ochoa ishte vetëm i radhës pas heroizmave të Navas.

Ndeshja e mbrëmshme ishte shembulli më i mirë që edhe një ndeshje pa gola di të jetë argëtuese.

Një me një luajtën rusët dhe koreanët, por që ofruan një ndeshje shumë më pak argëtuese. Dy gola të shënuar, për një barazim të lodhtë që i jep më së shumti shpresë Algjerisë.

Zëvendësimet

Algjeria kënaqi me një lojë guximtare dhe të parezervuar kundër Belgjikës. Shokët e Januzajt për pak sa nuk dështuan sikur Uruguaji. Do të ishte mëkat të dështonte qysh në fillim edhe Belgjika. Megjithatë zëvendësimet e Wilmots, i cili qysh në fillim nuk kishte dërguar formacionin më të mirë në fushë, e kryen punën.

Belgjika është me një hap në rrethin e dytë, e Algjeria nuk do ta ketë më të vështirë se që e pati mbrëmë kundër Rusisë e Koresë.

A-ja…

Meksiko pati rast të mirë të siguronte rrethin e dytë. Tani ju mbetet në duelin e drejtpërdrejtë kundër Kroacisë të sigurojnë kalimin, kuptohet nëse kroatët nuk dështojnë kundër Kamerunit. Iu nevojitet një Olic dhe Pletikosa shumë të mirë, dhe një Kovacic në formë.

Brazili vetëm se është në rrethin e dytë me një këmbë. Por, loja e të përzgjedhurve të Scolarit nuk është bindëse. Titulli nuk do të vijë me këtë lloj loje.

Sonte

Do të jetë interesante të shohim Holandën sonte. Australia tregoi se nuk është për tu nënçmuar. Kilit i konvenon edhe barazimi deri diku. Spanja duhet të fitoj dhe të tregoj një lojë kampioni. Nga Kroacia pres më shumë përkushtim se sa në ndeshjen kundër Brazilit.

 

18:00     Australia – Holanda

21:00     Spanja – Kili

00:00     Kameruni – Kroacia