Categories
lomsh

Kur shpërthen Suarezi – Ditarët e Brazilit

 

Liverpooli…

Po të ishin Gerrard dhe Henderson të mirë, Liverpool do fitonte Premier Ligën. Por, nuk  ia dolën. Ka shumë lojtarë më të mirë në atë pozitë, por anglezët përsëri luajtën pa mesfushë. Dhe përsëri humbën. Roy Hodgson duhet të shkoj. Ka dështuar në çdo aspekt. Anglia pati të gjitha mangësitë e ndeshjes së kaluar aty në shesh, sikur asgjë të mos kishte mësuar Hodgson nga ndeshja e parë. Tani radhën e ka Kosta Rika që ti turpëroj me goditjen përfundimtare. Kjo Angli ka talent, por nuk ka ekip.

 

Vendasit…

Është një ndjenjë më ndryshe të shohim kombëtaret e Amerikës së Jugut me gjithë ata përkrahës në Kupën e Botës. Dhe kjo po shpaguhet në mënyrën më të shkëlqyeshme, tani edhe me fitoren e Uruguajit. Kolumbianët dhe kilianët kanë arsye për të festuar, e derisa edhe të zakonshmit, Brazili e Argjentina pritet të kalojnë në rrethin e dytë, gjasa ka edhe Uruguai.

Edhe mbrëmë ekipi i Tabares ishte i mirë, por dështuan në mbyllje. Nuk ishin të aftë të mbroheshin, dhe ndoshta më mirë do të ishte sikur të sulmonin më shumë. Mungesa e një mesfushori që do të qarkullonte topin e bën këtë të pamundur. Suarez dhe Cavani shfaqën një partnerit të shkëlqyeshëm, por nuk është maksimumi.

Kolumbianët ishin të mrekullueshëm në kundërsulme. Paramendojeni sikur të ishte edhe Falcao. Këta janë serioz për këtë edicion të Kupës dhe mund ti shohim lart në renditje në fund.

 

Samurait, meh…

Edhe pse zhvilluan pjesën më të madhe të ndeshjes me një lojtarë më shumë në fushë, japonezët nuk arritën të fitojnë. Dhe në këtë rast, gjithçka pos fitores është humbje, edhe barazimi. Një Kupë dëshpëruese për ‘samurait’. Prej grekëve edhe ashtu nuk kam pritur ndonjë gjë këtë vit. Nuk më befasuan.

 

C-ja

Nuk prisja asgjë më pak nga Kolumbia. Por, dëshpëruese është paraqitja e Japonisë. Dhe pasi këto dy skuadra ndeshen në xhiron e fundit, mund të themi se Japonia është e mënjanuar tashmë. Por, Greqia akoma ka gjasë teorike të kaloj, megjithatë me lojën që kanë shfaqur nuk meritojnë. Mund të shfrytëzojnë problemet jashtë-fushe të Bregut, tragjeditë që u kanë ndodhur si Deit ashtu edhe Toure. Por, është koha e fundit që Bregu të kaloj fazën e grupeve.

 

Sonte…

Italia është favorite absolute ndaj Kosta Rikas. Por, nënçmimi nuk po i kryen punë kombëtareve në këtë garë. Zvicra dhe Franca pritet të japin një ndeshje të shkëlqyeshme dhe pres që zviceranët tanë të shkëlqejnë edhe një herë. Franca ka probleme në ofanzivë. E ndeshja e mesnatës mund të jetë interesante vetëm për ata që vuajnë insomnia. Së paku në letër, por lojëra të dobëta nuk ka pasur akoma në këtë garë, dhe besoj që nuk do të ketë.

18:00     Italia – Kosta Rika

21:00     Zvicra – Franca

00:00     Hondurasi – Ekuadori

Luan Morina

Kolumnist për Shqipmedia